Transmetuar më 11-09-2018, 20:30

Parlamenti miratoi me shumicë votash në fund të sesionit të kaluar këtë verë, një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, pas argumenteve të qeverisë se synon të rregullojë nivelin e taksave për lojërat e fatit në Shqipëri.

Ky ligj shkaktoi përplasje jo vetëm politike, por edhe mes institucioneve më të larta të shtetit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vendosi ta kthejë ligjin me argumentin se ai ul taksat për bixhozin.

“Ky reduktim realizohet nëpërmjet aplikimit të sistemit të ri të tatimit për këto biznese, i cili me ligjin e ri përcakton si të ardhura bruto, jo “xhiron totale” (siç parashikohet nga ligji ekzistues), por “fitimet bruto”, e cila përllogaritet duke zbritur shumën e fituar nga lojtarët nga shuma totale e luajtur prej tyre. Pra sipas nenit 6 të ligjit nr. 39 /2018, barra fiskale e tatimit ulet nga 15% mbi xhiron, në 15% mbi fitimet bruto”, thuhej në dekretin e Presidentit.

Ministria e Financave e sheh ndryshe situatën. Kreu i dikasterit, Arben Ahmetaj, tha në komisionin parlamentar, se tatimi mbi fitimin për industrinë e lojërave të fatit nuk ndryshon dhe nuk ndryshon as baza e tatueshme.

“Prej tre vitesh e ardhura bruto është përcaktuar tek ligji i lojërave të fatit si diferencë mes shumës së luajtur nga lojtarët dhe fitimeve që kompania u shpërndan atyre. Kjo skemë taksimi është miratuar me firmën e zotit Meta si Kryetar Parlamenti”, – tha z.Ahmetaj.

Ai thksoi se ndryshimi i vetëm është rritja e tatimit mbi fitimin për Lotarinë Kombëtare.

“Ligji rrit ngarkesën fiskale për atë kompani që ishte e përjashtuar nga definicioni standard dhe nga taksimi 15 për qind. Deri dje taksohej me 10 për qind, sot do të taksohet, kur ta aprovojmë, me 15 për qind”, shprehej Ahmetaj.

Përplasja mes Qeverisë dhe Presidencës ka vazhduar edhe pas rrëzimit të dekretit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi konmentoi arsyen e mosparaqitjes së Institucionit të Presidentit në seancën e zhvilluar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku u shqyrtua Dekreti i Presidentit nr.10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat’, i ndryshuar”, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji që lehtëson barrën fiskale të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushat e lojërave të fatit.

Zëdhënësi tha se institucioni i Presidentit nuk ka patur asnjë njoftim apo ftesë për këtë shqyrtim.

Kurse shtoi se “Presidenti nuk i lëviz asnjë presje qëndrimit për këtë çështje, të bërë edhe publik”.

Disa orë më vonë, erdhi replika e sotme nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Ai tha se është zbatuar rregullorja e Kuvendit për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit, duke nënkuptuar se nuk ishte e detyrueshme prania e një përfaqësuesi presidencial.