Transmetuar më 09-09-2018, 07:58

Gjyqtari i Gjykatës së Korçës, Besnik Shehu është kërcënuar me jetë nga dy persona, lidhur me një çështje pronësie që kishte gjykuar.

Mesditën e kësaj të shtune ai është paraqitur në polici, ku ka bërë denoncim ndaj dy personave.

Gjyqtari Shehu ka thënë se Emin Myrtollari dhe Muhamet Hoxha, mëngjesin e kësaj të shtune pranë pazarit në Korçë i kanë dalë përpara dhe i kanë thënë se do e vrasin.

“Do të zhdukim! Do të djegim ty dhe familjen tënde. Nuk na i merrni dot pronat. Ke për tu penduar për vendimin që ke dhënë”, mësohet ti kenë thënë gjyqtarit dy të dyshuarit.

Më konkretisht mësohet se gjithçka lidhet me një tokë në fshatin Porodinë, pronësinë e së cilës e pretendon edhe familja Myrtollari edhe familja e Albert Qeraxhiut.

Çështje është në gjykim në Gjykatën e Lartë, pasi shkalla e parë e gjyqësorit ia dha familjes Qeraxhiu.

Sakaq policia tha zyrtarisht se, “Më datë 08.09.2018 në Komisariatin e Policisë Korçë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi B.Sh, 54 vjeç, banues në Korçë, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, i cili ka deklaruar se për shkak të detyrës, për një çështje pronash që ka shqyrtuar në vitin 2016, është kanosur me fjalë në qytetin e Korçës, nga shtetasit M.H, 66 vjeç, banues në Korçë dhe E.M, 65 vjeç, banues në Porodinë-Korçë. Shtetasit e mësipërm janë shoqëruar në Komisariat, ku janë kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe në konsultim me Prokuroren e çështjes u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd