Transmetuar më 07-09-2018, 12:04

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, deputetin e Kurbinit Gjetan Gjetani.

Duke folur sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama tha se askush nuk u ka kërkuar kryetarëve të PS në territor që të jenë shefa kuadri dhe garantoi se do të bëhet çmos që një gjë e tillë të ndryshojë.

“Ashtu si deputeti i Kurbinit që duhet të përjashtohet nga Partia Socialiste, pasi nuk ka vend në parti. Nuk ka bërë asnjë punë por ka shantazhuar dhe ka bërë presion dhe kërkon ekskluzivet për të vënë shefa policie në Kubrin. Dhe bën një deklaratë pocaqi aty. Përjashtimi i tij Duhet të jetë mësim për deputetet për të ndarë njëherë e mirë punën nga futja e hundëve nga ndërtimi i shtetit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, partia në territor është larg së qeni PS që dëshirohet për sfidat që presin përpara dhe se është larg së qenit partia që kryen funksionet e patjetërsueshme të komunikimit dhe ndërmjetësimit me ata që e kanë besuar.

“Madje pa e tepruar aspak mund të thuhet se shumica e drejtuesve tanë në territor e kanë braktisur detyrën e kryetarit të PS dhe janë kthyer në ndërmjetës për punësime. Kjo është e patolerueshme dhe bie ndesh me betimin që të gjithë kemi bërë për ta çuar tepsinë për skrap. Lufta për të çuar tepsinë për skrap, nuk është një luftë propagandistike dhe as për të ndarë Shqipërinë në të mirë dhe të këqinj, por është një luftë me të korruptuarit të shtetit që e ka penguar Shqipërinë që të bëhet shteti që shqiptarët kanë merituar prej shumë e shumë vitesh”, deklaroi Rama.

Sipas tij kush ka në kokë tepsinë, e ka tradhtuar Shqipërinë, duke thënë se PS, nuk është LSI dhe as si askush tjetër, duke deklaruar se Partia Socialiste nuk është LSI dhe se nuk u rrit me punësime të pamerituara, por se është numri 1.

Në këtë linjë shtoi se Shqipëria nuk e ka luksin që të vazhdojë të ketë brenda shtetit fole ekskluzive për njerëz që nuk meritojnë të marrin rrogën nga taksapaguesit shqiptarë.

“Nëse ne lëshojmë në këtë mision, është lëshim historik për PS dhe na rrofshin dhe ju rrofshin qokat dhe nderet dhe punësimet e pamerituara duke shkelur ligjin”, deklaroi Edi Rama.

Pak ditë më parë deputeti Gjetan Gjetani bëri këtë publikim në rrjetet sociale

“Ngjarjet e fundit të ndodhura në Kurbin, më kanë shqetësuar shumë. Duke bërë që, në Kurbin, mos të ndjehemi të sigurt. Eksploziv, kërcënim me armë dhe vrasja e dy të rinjve, tregon që, policia është hallkë shtetërore shumë e paaftë.

Kjo tregon, se në Kurbin, kanë sjellë oficera dhe drejtues policie të paafte të korroptuar dhe ordinera.

Si deputet i kësaj zone, kam pas ankesa të shumta nga qytetarët të cilat do t’i bëj publike në parlament. Brenda muajit shtator do kërkoj interpelancë me ministrin e Brendshëm, dhe në qoftë se nuk do të marrë masa për pastrimin e Komisariatit të policisë Kurbin, unë i pari do ngrihem në protestë, duke kërkuar mbështetjen e gjithë qytetarëve të Kurbinit pa marrë parasysh ngjyrat politike”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd