
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi e cilësoi si përgjegjshmëri për të shqyrtuar me më shumë vëmendje, shqetësimet lidhur me dekretin e Presidentit Ilir Meta kundër ligjit që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.
Ai e cilësoi si fare normale shtyrjen me një javë, në mënyrë që dekreti të shqyrtohet dhe të njihen argumentet, megjithatë shtoi se nuk e di nëse dekreti do të rrëzohet, duke thënë se për këtë çështje ka interes edhe Komisioni Europian.
Në një konferencë për mediat lidhur me arritjet e sesionit të kaluar parlamentar, ai komentoi edhe deklaratën e krydemokratit Lulzim Basha, ku tha se Kuvendi nuk mund të konsiderohet fole kriminelësh dhe se këtë etiketim mund ta japin vetëm organet përkatëse.
Ruçi tha se nuk ka dëgjuar për djegie mandatesh por për marrëdhënie të kushtëzuar dhe bojkot. Më tej deklaroi se për shkak të eksperiencës së gjatë i ka provuar që të dyja mënyrat edhe luftën brenda edhe jashtë parlamentit, por shtoi se si termi kushtëzim edhe bojkoti, por edhe djegia e mandateve kanë qenë të diskutueshme edhe në kohën kur PS ishte në opozitë, por tha se më efektive është lufta brenda sistemit.
“Grupet parlamentare të lënë mënjanë luftën elektorale, jo ta pushojnë luftën, përkundrazi ta intensifikojnë, por ta lenë mënjanë. Ylli polar është hapja e negociatave, fitojmë të gjithë, fiton Shqipëria. Duhet të kontribuojmë të gjithë”, u shpreh Ruçi.
I pyetur nëse ka nevojë për ndryshimet në qeveri, shtoi se nuk është detyra e tij, por nënvizoi se do të mirëpriste interpelanca, mocione për debat, mocione besimi apo mosbesimi dhe se do ushtronte kompetencat e tij në momentin që do i kërkohej.
Në këtë drejtim mohoi të komentojë ndryshimet në qeveri.
Lidhur me Kodin Zgjedhor tha se nuk mund të ketë të tillë, pa dakordësinë e gjithë forcave politike. Ai shtoi se personalisht mbështet si votimin elektronik edhe votimin e emigrantëve, por nënvizoi se nuk duhet humbur kohë.
Sipas tij që të implementohen të dyja mënyrat kërkohet kohë, duke shtuar se sa vjet ka në pushtet aq ka dhe në opozitë dhe nga përvoja e tij, shprehet se mbështet një ditë e më parë ndryshimet në Kodin Elektoral./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





