
Partia Demokratike zgjodhi sot të bojkotojë seancën parlamentare që çeli sesionin e ri. Në mënyrë simbolike, PD mblodhi grupin e saj në Shkodër, ku së fundi janë shënuar disa ngjarje të rënda kriminale.
Kreu i PD, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se “është bërë njësh me krimin. Rama duhet të ishte sot këtu për zbardhjen e ngjarjeve”, tha ai mes të tjerash.
Akuza të rënda ai hodhi edhe në drejtim të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të cilin riktheu edhe njëherë në vëmendje çështjen e të vëllait.
Reagon Ministri i Brendshëm
Akuzave të opozitës ministri Xhafaj i është përgjigjur nga salla e Kuvendit. Ai tha se pakica politike synon të nxijë punën e policisë.
“Ajo që po bën opozita, lidhur me ngjarjet e rënda të ndodhura së fundmi, është një sulm agresiv i qëllimshëm për të nxirë imazhin e policisë dhe të vendit. Nuk dua t’i hyjë farë diskutimit se cila është natyra e disa prej viktimave të përfshirë në këto ngjarje, apo sa dhe si këta ta fundit kanë qenë vetë të përfshirë në vrasje të mëparshme. Natyrisht për ne çdo rast vrasje përbën një ngjarje të rëndë sepse janë jetë njerëzish dhe cenojnë sigurinë qytetare. Ne jemi duke iu shkuar në fund këtyre rasteve dhe shumë shpejt do të zbardhim edhe autorët, kjo sa i takon përgjegjësisë sonë”, deklaroi Xhafaj.
Ai tha më tej se opozita ka zgjedhur një rrugë të gabuar me këtë aksion politik. Xhafaj tha se policia ka skanuar grupet kriminale që sipas tij kanë vite që operojnë, dhe u ka shpallur atyre luftë.
“Sa i përket opozitës, kanë zgjedhur një kauzë të gabuar. Në këto muaj kemi bërë një skanim të qartë dhe të hollë të grupeve kriminale që nuk u krijuan sot, por kanë vite. Kemi goditur një pjesë të këtyre grupeve, dhe do të godasim edhe të tjerë në muajt në vijim, falë punës së mirëorganisuar të struktuarave përkatëse të shtetit”, vijoi Xhafaj më tej./a.m./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





