
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në në qytetin e saj ditën e sotme, ku u vra me armë zjarri në zonën e Livadhes teksa ishte duke kalëruar biznesmeni Arjan Ferracaku, 31 vjeç.
Përmes një postimi në Facebook, Voltana Ademi shkruan se “Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin”.
Ajo shkruan se “në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës”.
“Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin!
Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës. Ankthi për jetën dhe të nesermen po zbret frikshëm në këtë rajon”, shkruan Ademi në reagimin e saj.
Ajo i kërkon kryeministrit Edi Rama që të mbajë përgjegjësi për këtë që po ndodh.
“Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh”, shkruan kryebashkiakja e Shkodrës.
Ajo u është drejtuar edhe forcave politike, deputetëve, medias dhe përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri.
“U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë! Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim”, e mbyll Voltana Ademi reagimin e saj./a.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





