Transmetuar më 17-08-2018, 13:58

Kur u zhduk nga shtëpia e saj në Southport, të Florida (SHBA), ishte vetëm 14 vjeçe.

La një letër prej tre faqesh, ku ju thoshte familjarëve të saj që të mos shqetësoheshin, pasi do të shkonte në një vend të sigurtë dhe se ndoshta do të kthehej pasi të mbushte 18 vjeçe, por se për momentin i duhej të largohej.

Që nga ai moment dhe më tutje, nga Emily Wynell Paul, nuk u mësua më asnjë lajm, pavarësisht kërkimeve dhe apeleve të bëra kudo. Për familjen e saj pasuan pesë vite ferri, të jetuara me shpresën se vërtetë Emily mund të kishte shkuar në një vend të sigurtë dhe nuk donin ta mendonin se mund të ishte rrëmbyer ose vrarë.

Ata shpresonin se ndoshta kur të mbushte 18 vjeçe mund të shfaqej në derën e shtëpisë, por kjo shpresë rezultoi e kotë.

Por ndërsa shpresat për ta riparë të gjallë po shuheshin gjithnjë e më shumë, pak javë më parë nëna e saj, Pam Massimiani mori një letër, ku Emily e siguronte se ishte mirë.

“Jini të qetë, jam mirë, jam shumë mirë këtu ku jam”, shkruhej në letër.

Një lajm i papritur i konfirmuar nga policia, ku këtë të martë Emily u paraqit vetë, duke konfirmuar se ishte pikërisht ajo dërguesja e letrës, shkruan noa.al.

“Deklaroi se ishte e sigurtë dhe se ishte e lumtur atje ku jetonte. Dukej në gjendje të mirë shëndetësore, erdhi vetë në polici dhe po vetë u largua”, deklaruan zyrtarisht autoritetet.

Pam u lumturua teksa mësoi se e bija është gjallë, por nuk arrin të japë dot një arsye se pse Emily heziton që ta takojë dhe sa i takon autoriteteve duke qenë se tashmë është në moshë madhore, 19 vjeçe, ajo ka gjithë të drejtën të ruajë privatësinë e saj.

E pikërisht teksa një tis buzëqeshje u shfaq në buzët e Pam, pak më vonë erdhi dushi i ftohtë, Emily duket më e paarritshme se më parë. /a.y/noa.al