Transmetuar më 16-08-2018, 12:26

Një ngjarje tronditëse ndodhi në fshatin Grecalli të Fierit tre ditë më parë. 42-vjeçarja Rudina Kishta, tentoi të mbysë në lumë dy vajzat e saj binjake 6-vjeçare.

Këtë akt të rëndë, ajo e bëri pasi më herët i kishte vënë zjarrin banesës së bashkëjetuesit të saj Ardian Gjika.

Atë ditë ajo pati konfliktin e radhës me Ardianin dhe i vuri zjarrin banesës e cila u shkrumbua totalisht.

Më pas, duke ikur për në fshatin e prindërve në Daullas, u ndal në lumin Seman dhe futi në ujë vajzat. Fatmirësisht aty kaloi një djalë i ri i cili ndërhyri duke mos e lejuar.

Ai njoftoi policinë e cila arrestoi Rudinën.

Ajo pranoi se i vuri zjarrin banesës dhe madje tentoi edhe të mbysë vajzat e saj. Këtë gjë e pohoi edhe para gazetarëve në sallën e gjyqit të cilët i bënin pyetje të shumta.

Ajo tha se tentoi të mbysë vajzat pasi do mbeteshin rrugëve dhe pa kujdes.

Dialogu me gazetarët:

Akuzoheni për zjarrvënie të qëllimshme… E keni kryer ju këtë veprim?

Po, e kam bërë unë. E bëra sepse më erdhi në majë të hundës. Po jetoja keq. Më mori e më mbylli atje brenda. Kur i thashë dua të iki te familja ime, më tha mirë do vij e të çoj. Por nuk erdhi derisa u errësua. Prandaj e bëra.

Po dy vajzat e mitura, pse do t’i mbysnit?

Se s’kisha ku t’i lija. Ça do të bëhej me to? Ato janë vajzat e mia, kush i do më shumë se unë? Jeta na ishte bërë e vështirë, pasi ai më dhunonte mua dhe vajzat. Kur mendova që do futesha edhe në burg (pas zjarrvënies), mendova më mirë të vdesim të gjitha sesa t’i lija rrugës. Ky shtet s’ka ardhur të shikojë ku jetoj unë atje, s’kam gjë në shtëpi. Kam ikur disa herë për këtë gjë nga shtëpia.

Ju dhunonte Ardiani?

Shumë herë. Ai ishte pijanec e më rrihte edhe mua edhe vajzat. Nuk durohej. Erdhi m’u lut të dielën te prindërit e mi që u ktheva tek ai. Por ai vazhdoi avazin. Njeri jam edhe unë… Ikte çdo ditë, pinte bëhej tapë e pastaj na dhunonte. Nuk bënte asgjë për shtëpinë. Qysh mbahet shtëpia me fjalë e duke pirë në fshat? Nuk kishte asgjë brenda as të hanim. U mërzita.

Prandaj i kërkuat që t’ju kthente prapë te prindërit?

Po. E pashë që asgjë nuk kishte ndryshuar. Ai gënjente kur thoshte se kam ndryshuar. Njësoj ishte, pijanec dhe agresiv. Më çmendi kjo jetë me të… Isha shumë pa shpresë, në mes të katër rrugëve me dy vajzat.

Po tani që i bëtë gjërat më keq, si ndiheni?

Më mirë në burg se me atë./a.m./noa.al/