Transmetuar më 16-08-2018, 12:15

E quajnë Edi Rama, por ai nuk është kryeministër! Është thjesht një student 18-vjeçar. Në fakt, jo kaq i thjeshtë pasi ai është student i një prej universiteteve më prestigjioze në botë, atij të Oksfordit.

18-vjeçari nga Kosova, është bir i dy emigrantëve që u larguan në vitet e vështira.

Ai ka mundur të sigurojë pranimin në Oksford. Edi Rama nga Kosova, është djali i një piktori të quajtur Arsim dhe Gëzimes që punon si recepsioniste.

Prindërit e tij ishin mjaft të lumtur kur ai u tregoi se kishte marrë notën maksimale A në Matematikë dhe Kimi, që i mundësuan pranimin në Oksford.

“Ata shpesh ma kujtojnë se sa me fat jemi që jetojmë në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë Edi, që ka një vëlla më të vogël, Drinin, si dhe një motër më të re, Dean.

Ai thotë se prindërit nuk i kanë treguar shumë për jetën e vështirë në Kosovë, por mjaftohen duke thënë se ka qenë shumë ndryshe nga ajo në Britani.

“Është shumë e vështirë për mua që ta çmoj veç sa vështirë ka qenë për ta sepse jam lindur këtu dhe nuk di asgjë. Kjo duket e largët për ne por qartazi jo për ta. Kur iu thashë se sa mirë kisha dalë (në test) të dy u përlotën. Për ta ka shumë vlerë që djali i tyre ia ka dalë në këtë vend. Janë shumë mirënjohës për gjithçka që ky shtet na e ka dhënë”, tha Edi.

Ai thotë se po të mos ishin larguar në vitin 1995, ndoshta prindërit e tij nuk do ishin bërë fare me fëmijë.

Ata u larguan në Gjermani, por atje u thanë se duhet të ktheheshin, më pas, ata siguruan azil nga Britania e Madhe ku jetojnë edhe sot./a.m./noa.al/