Transmetuar më 16-08-2018, 08:49

Kryetari i grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka reaguar lidhur me lajmin për shpenzimet qeveritare për zyra dhe pajisje zyrash në shtatë muaj, shpenzime që kapnin shifrën e 40 milionë eurove.

Sipas Vasilit, kryeministri Rama i ka shpenzuar këto para për luks, ndërkohë që ankohej se nuk kishte para’ për ndërtimin e një teatri të ri.

“Ali Baba në krye të qeverisë i griu 40 milionë euro për luks dhe zyra, ndërsa para’ për teatrin s’ka”, shkruan Vasili me ironi.

Ai akuzon më tej se privatit iu dha qendra historike e qytetitt duke mashtruar popullin se nuk ka para’ për ndërtimin e godinës së re ndërkohë që shpenzimet sipas tij shkojnë për luksin personal.

“Të gjithë qanin e lanin si legena, Qeveri e Bashki, në TV e nëpër dëgjesa, në konferenca shtypi e nëpër çdo rrëzë përpara kamerave e lehnin pa u lodhur, që: ‘s’kemi fare para, ndaj do t’ja japim gjithë zemrën e Tiranës privatit, që të na bëjë sevap një teatër’”, shkruan më tej Vasili.

Ai thotë se paratë janë shpenzuar për fasada, kolltuqe, tapete e mokete.

“Ja, kështu i vjedhin ditën për diell paratë e shqiptarëve, plot 40 milionë euro, Ali Baba në krye të qeverise me të gjithë 40 hajdutët e tjerë”, mbyll postimin Vasili./a.m./noa.al/