Transmetuar më 10-08-2018, 10:58

Temperaturat e larta rrisin edhe më tej rrezikun për helmimin nga ushqimet. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka intensifikuar kontrollet ndaj subjekteve tregtare dhe kryesisht fokusi janë zonat turistike.

Sot AKU kreu kontrolle në Vlorë ndaj furgonëve që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun por dhe më gjerë, ku janë zbuluar disa raste në shkelje.

Janë ndaluar disa furgona, dy prej tyre tregtonin produkte qumështi në temperatura mbi normën e lejuar, përkatësisht 18.4 dhe 15.6 gradë ku normalja është deri në 6 gradë celsius.

Ndaj këtyre subjekteve u mor masa administrative gjobë 100.000 për secilin.

Ndërsa një tjetër subjekt u kap në flagrancë duke transportuar mish dhe nënprodukte të tij në temperaturën 25.6 gradë ku normalja është 6 gradë celsius. Edhe ndaj këtij subjekti u mor masë administrative gjobë në vlerën 200.000 lekë.

AKU njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cënojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore. Gjithashtu bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre”, thuhet në njoftimin e AKU./a.m./noa.al/