Transmetuar më 09-08-2018, 20:31

Dalin pamjet e aksidentit tragjik të një dite më parë ku mbetën të vdekur 8-vjeçarja Esmeralda Ndreu si dhe 57-vjeçari, Ramazan Isha.

Siç shihni në pamjet ekskluzive nga Report Tv, fillimisht makina e drejtuar nga Rezina Koleci ka goditur çiklistin 57-vjeçar teksa ora shënon 08:40 minuta dhe para makinës së drejtuar nga Koleci është një tjetër automjet "Mercedes Benz".

Çiklisti është mes dy automjeteve dhe merret para nga makina e drejtuar nga 38-vjeçarja Rezina Koleci. Në pamje duket momenti i rëndë kur goditet çiklisti i cili gjeti vdekjen e menjëhershme.

Por pak çaste para se të goditej çiklisti, rrugën e ka kaluar para karburantit dhe Valbona Ndreu me dy vajzat e saj. Për herë të fundit para se të goditeshin nga makina e Rezina Kolecit, Ndreu kalon rrugën me dy vajzat e saj. Në dorën e djathtë ajo mban vajzën Esmeralda Ndreu e cila gjeti vdekjen në aksident dhe në të majtë 6-vjeçarin E.N e cila fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.

I pari që ka vënë re aksidentin ka qenë punonjësi i karburantit i cili siç shihni është alarmuar nga aksidenti i rëndë dhe vë duart në kokë duke bëritur. Në këtë aksident u përfshinë 3 automjete dhe mbetën të plagosur 4 persona.

Shtetësja Rezina Koleci aktualisht është arrestuar dhe pritet që të dalë të shtunën para Gjykatës së Tiranës për t'u njohur me akuzën aksident me plagosjen dhe vdekjen e më shumë se një personi ku sipas Kodit Penal neni 290 gërma 4, rrezikon burgim nga 5 deri në 20 vite.