Transmetuar më 09-08-2018, 08:43

Nëse pretendimet do të vërtetoheshin, atëherë do të përbënte një skandal vërtetë të madh për sportin evropian.

Atleti shqiptar Izmir Smajlaj ka reaguar pas garës në Berlin në kuadër të Kampionatit Evropian teksa thotë se rezultati i tij në kërcimin së gjati u manipulua. Smajlaj u rendit i gjashti por ai thotë se në të vërtetë duhet të ishte në zonën e medaljeve.

“Më vjen keq që dhe në “Kampionatin Evropian” të zhvilluar në Berlin, të ketë manipulime në rezultat (mund të shikoni videon për të parë të vërtetën e kërcimit të 3-te i cili u deklarua 7,47 metër e më pas ma dhanë 7,73 metër, duke mos qenë të vërteta asnjë prej tyre)”, shkruan Smajlaj në rrjetet sociale.

Statusi i plotë:

Të nderuar miq, Si fillim dua t’ju falenderoj për mbështetjen e vëmendjen që më kushtuat këto 2 ditë në garën time kualifikuese dhe finale. Por më vjen keq që dhe në “Kampionatin Evropian” të zhvilluar në Berlin, të ketë manipulime në rezultat (mund të shikoni videon për të parë të vërtetën e kërcimit të 3-te i cili u deklarua 7,47 metër e më pas ma dhanë 7,73 metër, duke mos qenë të vërteta asnjë prej tyre). Ky gabim tepër i rëndë dhe tepër i qartë pëer të gjithë, me dëmtoi imazhin tim si Kampion Europian i sallave të mbyllura aktual, si dhe më demtoi moralisht që të isha në zonën e medaljeve këtë vit. Unë, si atlet dhe bashkë me “Federatën Shqiptare të Atletikës”, kemi denoncuar këtë rast në institucionet përkatëse si në IAAF, dhe gjatë kohës po bëhen verifikimet e duhura. Shpresoj më të mirën! Ju falenderoj e ju premtoj që në vazhdim do të ngjitem në podium në çdo kampionat për të nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët!/a.m./noa.al/