

















Policia Rrugore e Tiranës, ka vijuar edhe gjatë mbrëmjes së të premtes dhe natës duke zbardhur e shtuna, kontrollet në rrugë me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Krahas sigurimit dhe masave për mbarëvajtjen e koncertit që zhvillohej në sheshin “Skënderbej”, Policia Rrugore e Tiranës, në përfundim të eventit ka ndjekur detyrat e caktuara në Planin Operacional Tispol Korrik 2018.
Objekti kryesor ishte testimi i drejtuesve të mjeteve për nivelin e alkoolit, ku nga kontrollet e ushtruara në disa rrugë të ndryshme të qytetit, kanë rezultuar 6 drejtues mjetesh të cilët janë arrestuar në kushtet e flagrancës për drejtim mjeti në gjendje të dehur, në nivele që variojnë nga 0.53 mg/l deri ne 1.07 mg/l.
Janë pezulluar 15 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara që varionte deri në 167 km/h.
Janë pezulluar 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Janë ndaluar administrativisht 16 mjete për detyrime administrative të pashlyera.
Janë ndëshkuar 5 automjete për mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara si dhe janë vendosur një numër i konsiderueshëm masash administrative për kundravajtje të ndryshme. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





