Transmetuar më 27-07-2018, 11:17

Policia e Shkodrës ka kurorëzuar një operacion të koduar “Garantuesit”, duke arrestuar tetë persona dhe duke shpallur në kërkim dy të tjerë.

Ata akuzohen se vepronin si një grup i strukturuar kriminal, që merrej me trafik personash drejt Anglisë dhe SHBA, nëpërmjet një skeme që funksiononte në bazë të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme të identitetit etj.

Arrestimi i tyre u bë në kuadër të procedimit penal të vitit 2018, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezulton se ky grup i mirëorganizuar kryente veprimtari kriminale në drejtim të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe ShBA-së.

Këto veprime bëheshin kundrejt pagesës së shumave të ndryshme që varionin nga 8000 euro deri në 12000 euro.

Ndihma e ofruar konsistonte ne falsifikimin e dokumenteve në vendet e origjinës shtete të Bashkimit Europian, ku këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, mundësonin gjetjen e personave dhe më pas, pajisjen e tyre me dokumente te falsifikuara (karta identiteti italiane dhe greke, viza, leje drejtimi, karta studenti etj.) dhe nga përdorimi i tyre mundësohej kalimi për në Angli dhe SHBA.

Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria, (Siçili)-Itali, – Maltë – Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri – Kosovë – Kroaci- Itali- Maltë-Angli – Sh.B.A.

Po kështu këta shtetas u ofronin personave të interesuar, kundrejt pagesës, shoqërimin e tyre deri në destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë nëpër zyra të ndryshme të Gjendjes civile të Shqipërisë.

Personat e arrestuar janë:

-Gazmend Garupi, 44 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Shkodër, i cili ishte në rolin kryesor, atë të organizatorit.

-Sotiraq Antoni, 52 vjeç, banues në Korçë, ne rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri.

-Haxhi Ramadani, 54 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, në rolin e bashkëpunëtorit.

-Bledjan Ramadani, 29 vjeç, banues në Kosmaç Shkodër, në rolin e ndihmësit.

-Eduart Shima, 37 vjeç, banues në Shkjezë, Shkodër në rolin e rekrutuesit.

-Pllumb Pali, 47 vjeç, banues në Gruemirë, Malësi e Madhe. Siguronte dokumente të falsifikuar (falsifikator).

-Shpëtim Kiri, 59 vjeç, banues në Shkodër dhe Korçë, në rolin e transportuesit dhe ndihmësit.

-Nikolla Mano, 59 vjeç, banues në Korçë, banesa e tij përdorej si bazë dhe kishte një laborator për falsifikimin e dokumenteve.

-Tonin Shtjefni 27 vjeç banues në Lezhë, përfitues dhe përdorues i dokumenteve të falsifikuara.

Ndërsa janë shpallur në kërkim K.P.,46 vjeç, banues në Lezhë, në rolin e ndihmësit pasi ndërmjetësonte martesat fiktive me shtetase bullgare dhe Y.Th. 36 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, i shpallur në kërkim për “Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të kufirit”, dhe “Prodhim e shitje narkotikësh”. Ky person kishte rolin e ndihmësit.

Në kuadër të këtij hetimi në përfundim të operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Një laborator për falsifikimin e dokumenteve, ku u gjetën 3 njësi kompjuteri, 2 lap top, 5 skanera, 5 printera, 3 printer-skaner, 5 vula të ndryshme, 14 usb, 17 tampona vulash, 1 pasaportë biometrike, 1 kartë identiteti, 10 platforma me strukturë plastike, 2 karta identiteti të huaja, fotografi pasaportash, materiale kancelarie të ndryshme, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa 2 kg, 9 copë telefona celulare, 4 automjete të markave të ndryshme, dhe 1 armë gjahu.

Ndaj të dyshuave materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të kufirit”, “Prodhim i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”, “Falsifikim i vulave dhe stampave ose formularëve”, “Falsifikim i letërnjoftimeve pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumenteve shkollorë dhe “Prodhim e shitje narkotikësh”. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd