Transmetuar më 26-07-2018, 11:44

Qeveria Greke, në kuadrin e planit paralel të gjendjes së jashtëzakonshme për përballimin e pasojave të zjarreve në Atikën Lindore dhe Perëndimore, vendosi që të ndërmarrë një paketë të plotë masash që kanë si qëllim lehtësimin imediat të të prekurve dhe rehabilitimin e menjëhershëm të dëmeve materiale.

Këto masa nuk zëvendësojnë, përkundrazi, u shtohen atyre që parashikon ndërkohë legjislacioni në fuqi. Më konkretisht, masat shtesë janë si më poshtë:

A. Masa për ndihmë dhe mbështetje të menjëhershme për të dëmtuarit:

1. Subvencionim i menjëhershëm dhe i jashtëzakonshëm i të dëmtuarve , pasi të përfundojë regjistrimi i dëmeve materiale prej ekipeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transporteve.

Subvencioni që do të përfitojnë familjet apo personat fizikë që u dëmtuan, do të jetë 5000 euro. Për familjet me tre dhe më shumë fëmijë , kjo shumë do të jetë 6000 euro.

Për bizneset që pësuan dëme, shuma arrin 8000 euro.

2. Gjithashtu do të akordohet asistencë papunësie plus një shume të menjëhershme prej 45 shpërblimesh ditore (650 euro) papunësie për të gjithë ata që do të mbeten pa punë, pas shkatërrimit të biznesit ku punonin , për shkak të zjarreve.

3. Akordim i menjëhershëm i një ndihme të jashtëzakonshme, të barabartë me shumën e dy (2) pensioneve mujore, për pensionistët e Entit Unik të Sigurimeve Shoqërore EFKA, që u dëmtuan prej zjarreve.

4. Përshpejtim, pavarësisht rendit kronologjik, i kërkesave për pension që janë depozituar ose do të depozitohen deri më dt. 31.09.2018, vend-banimi ose vendi i sigurimit të të cilëve, ndodhet brenda zonave të prekura prej zjarreve.

5. Masa për lehtësim të menjëhershëm tatimor:

Për taksapaguesit që varen nga Zyrat Tatimore të Palinit dhe të Elefsinës

Zgjatje të afatit të depozitimit të deklaratave mbi të ardhurat për personat fizikë, për vitin tatimor 2017, deri më 30 tetor 2018.

Pagesë e taksave mbi të ardhurat nga personat fizikë për vitin tatimor 2017, në tre këste mujore.

Zgjatje të afatit të depozitimit të deklaratës mbi të ardhurat nga ana e personave juridikë, për vitin tatimor 2017. Pagesa e taksave mbi të ardhurat nga ana e personave juridikë, për vitin tatimor 2017, në tre këste mujore.

Për më tepër, për taksapaguesit që varen nga dy Zyrat e mësipërme, ndërmerren vendime për:

Zgjatje të afatit të depozitimit të deklaratës mbi TVSH, afati i të cilave mbaronte më 31 Korrik 2018, deri më 30 Tetor 2018, me zgjatje respektive të afatit për pagesën e taksave.

Përjashtim nga pagesa e ENFIA- Taksës Unike për Pronat e Patundshme- për ato prona të patundshme që gjenden në zonat e prekura dhe janë shkatërruar plotësisht ose kanë pësuar dëme funksionale, që i bëjnë të pabanueshme.

6. Masa të menjëhershme lehtësimi përsa i përket siguracioneve për bizneset dhe për të siguruarit që ushtrojnë aktivitetin e tyre profesional në zonat e prekura nga zjarret.

Shtyhet depozitimi i Deklaratave Analitike Periodike dhe pagesa e kontributeve korrente me gjashtë muaj, duke filluar nga dt 1 e muajit kur ndodhi katastrofa, dhe pa llogaritur për këtë periudhë, tarifa të tjera shtesë.

Të siguruarve të EFKA-s si dhe anëtarëve të familjes që varen prej tyre, u njihet statusi i të siguruarit deri më 31.12.2018 pa asnjë parakusht, ndërsa pagesa e asistencës dhe subvencioneve të parashikuara bëhet menjëherë, pa ndjekur rendin kronologjik.

7. Masa për të mbështetur huamarrësit e Entit të Banesave Sociale

Shtyhet për një periudhë prej 36 muajsh dhe pa asnjë lloj barre, detyrimi për pagesën e kësteve nga ana e huamarrësve të Entit të Banesave Sociale.

8. Shtyhen nga data e sotme deri më 30.09.2019, zhvillimi i ankandeve për të prekurit nga zjarret.

9. Subvencion vjetor në shumën prej 1200 eurosh për çdo familje të prekur, për përballimin e çdo lloj nevoje për telekomunikim, pavarësisht subjektit furnitor.

10. Mbështetje të jashtëzakonshme ekonomike për Bashkitë e Marathonës, Rafinës- Pikermit, në shumën prej 2.000.000 euro, e cila mund të destinohet për përballimin e nevojave të jashtëzakonshme, si punësim personeli shtesë, blerje ushqimesh, ilaçesh dhe medikamentesh por edhe për rehabilitimin e shpejtë të dëmeve në infrastrukturën bazë.

11. Mos pagesë tarifash rrugore në zonat e prekura deri në përballimin e krizës.

12. Çregjistrim i targave të automjeteve që u dogjën, në mënyrë që pronarët të mos paguajnë taksë qarkullimi apo dhe gjoba administrative.

13. Ndërmarrja Elektrike Publike DEH, vendosi që të falë detyrimet për energjinë elektrike të klientëve të saj, e cila ishte konsumuar nga dt 01.01.2018 dhe deri sot, për banesa dhe dyqane që u shkatërruan si dhe për banesat e familjeve të viktimave, ndërkohë që do të ndërmarrë nisma rregulluese për detyrime të mëparshme, për të njëjtat kategori konsumatorësh.

14. Vetëkuptohet se EOPYY- Enti Kombëtar i Akordimit të Shërbimeve Shëndetësore- do të zëvendësojë falas aparatet mjekësore dhe mjetet e tjera ndihmëse teknike , të cilat u shkatërruan nga zjarri, dhe që u shërbenin personave të paaftë ose me sëmundje kronike.

15. Fëmijët e familjeve të prekura të cilët studiojnë ose do të pranohen sivjet në Institucionet Arsimore Universitare, përfitojnë automatikisht të drejtën e transferimit në Institucionin më të afërt me banesën e tyre. Kjo masë, pas vendimit të Ministrit të Arsimit, mund të zgjatet edhe për vitet pasardhëse.

16. Gjithashtu, notat e nxënësve, të familjeve që janë prekur nga zjarret, dhe që ishin pjesëmarrës në provimet panhelenike të pranimit gjatë sezonit 2017-2018, shtohet me 20% dhe pranohen në universitetet respektive si studentë mbi normë.

17. Masa të posaçme dhe të jashtëzakonshme, sipas kompetencave të veta, ka ndërmarrë edhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, nëpërmjet Ministrit përkatës.

B. Masa dëmshpërblimi dhe mbështetjeje të familjeve të viktimave

1. Mbështetje ekonomike për bashkëshortin/en, ose nëse nuk ekziston, për personin më të afërt të viktimës së zjarrit, në shumën prej 10.000 euro

2. Akordim i një subvencioni mujor për fëmijët të mitur të të vdekurve prej zjarreve, në masën 1000 euro për fëmijë deri sa të arrijnë moshën madhore, ose nëse ata janë me studime në institucione arsimore të vendit, deri sa të mbushin moshën 24 vjeç.

3. Këta fëmijë, nëse regjistrohen sivjet ose nëse janë duke studiuar në Institucione të Larta Arsimore të vendit, mund të transferohen në Institucionin më të afërt me banesën e familjes. Kjo masë mund të vlejë edhe për vitet pasardhëse, pas vendimit respektiv të Ministrit të Arsimit.

4. Një prej të afërmve të nivelit të parë apo të dytë, ose bashkëshorti/tja e viktimave të zjarrit, fiton të drejtën e emërimit në ente të qeverisjes qendrore. Të drejtën e emërimit e fitojnë gjithashtu edhe persona që mbetën të paaftë prej zjarreve, në masën 67% e lart.

Gjithashtu,. Parlamenti Grek vendosi njëzëri në mbledhjen e kryetarëve, akordimin e menjëhershëm të një ndihme të posaçme ekonomike për çdo fëmijë që u dëmtua prej zjarreve. Shuma e ndihmës do të përcaktohet kur të përfundojë procedura e regjistrimit të dëmeve.

C.Paketa e tretë e masave ka të bëjë me rehabilitimin e dëmeve materiale që pësuan privatët por edhe Infrastruktura Publike

1. Duke u bazuar tek nismat ndërkombëtare dhe vendore të solidaritetit dhe të përkrahjes, për Greqinë por edhe për të prekurit nga zjarret në Atikën Lindore dhe Perëndimore, Qeveria Greke vendosi hapjen e një Llogarie të Posaçme në Bankën e Greqisë, me qëllim financimin e çdo aktiviteti ndihme ndaj të prekurve nga zjarret në Atikën Lindore dhe Perëndimore, dhe kryesisht për rindërtimin dhe dëmshpërblimin e banesave që u shkatërruan si dhe rehabilitimin e zonave të prekura dhe të infrastrukturës së tyre.

Organi që do të menaxhojë këtë Llogari është një komision prej tre anëtarësh, të përbërë nga Kryetari i Parlamentit, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe Ministri i Financave. Menaxhimin e kësaj Llogarie, e kontrollojnë në bazë vjetore, financierë nën betim që emërohen prej Ministrit të Financave. Raporti i tyre depozitohet tek Kontrolli i Shtetit i cili edhe kontrollon menaxhimin sipas ligjit të kësaj Llogarie të Posaçme.

Sektori Publik Grek merr pjesë në këtë llogari me shumën prej 20 milion eurosh të Entit të Punësimit të Forcës Punëtore, 10 milionë euro akordohen prej Ministrisë së Financave, ndërsa Parlamenti Grek vendosi që të marrë pjesë me 10 milionë euro të tjera. Në këtë Llogari, do të kenë mundësi të bëjnë depozitime shumash edhe shtete të tjera, biznese por edhe qytetarë, nga Greqia dhe shtete të tjera.

Objektivi ynë është rehabilitimi i zonave të prekura dhe i infrastrukturës publike si dhe dëmshpërblimi dhe rindërtimi sa më i shpejtë i banesave. Për këtë arsye, do të shfrytëzohen të gjitha dispozitat e veçante që parashikojnë procedurat fast track të licencimit të të gjitha veprave, ndërsa aty ku do të lindë nevoja, do të bëhen edhe ndërhyrje ligjore shtesë.

Numri i Llogarisë është 23/2341195169 me IBAN GR4601000230000002341195169.

Pjesëmarrja e sektorit publik grek është për fazën fillestare, Shteti Grek angazhohet se shpenzimet shtesë që do të duhen për rehabilitimin e plotë të zonave të prekura nga zjarret, do të përballohen prej Programit të Investimeve Publike, me po ato procedura të posaçme.

2. Me dispozita të veçanta, për herë të parë do të subvencionohen edhe ambientet përreth ndërtesave dhe që kanë pësuar dëme.

3. Me një rregullim të veçantë, Ministria e Infrastrukturës do të marrë gjithashtu përsipër, hartimin falas të studimeve për rehabilitimin e ndërtesave të dëmtuara.

Së fundi, është e vetëkuptueshme se rehabilitimi i zonave që janë prekur prej zjarreve, do të bëhet në bazë të një planifikimi urban kundër përmbytjeve dhe zjarrit, përgjegjësinë e të cilit do ta kenë Autoritetet dhe Ministritë kompetente.