Transmetuar më 25-07-2018, 23:18

“Kryeministrat në mandatin e dytë kanë simptoma diktatoriale. Ka ndodhur me Sali Berishën, tani po ndodh edhe me Edi Ramën”. 

Kështu u shpreh kryetari i Frymës së Re Demokratike, njëherazi ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar në “Repolitix” në Report Tv. 

Sipas Topit, Rama nuk ka zëra kundër në qeveri, por vendos vetë për gjithçka dhe kjo, shtoi ish-kreu i shtetit, e shtyn atë drejt sjelljes uzurpuese në pushtet. 

“Kryeministrat në mandatin e dytë kanë simptoma diktatoriale. Ka ndodhur me Sali Berishën, tani po ndodh edhe me Edi Ramën. Në mandatin e dytë sillen ndryshe nga i pari. 

Në rastin e Ramës rëndon edhe më shumë. Në fushatë ishte në kërkim të një marrje ekskluzive të pushtetit dhe në bazën e kësaj fushate, njerëzit thonë se, fakti që kryeministri thotë se na kanë prishur punë të tjerët në qeverisje, atëherë po ia japim timonin të na drejtojë i vetëm”, u shpreh Bamir Topi.

Rezerva, Topi ka edhe për liderin e opozitës, Lulzim Basha, i cili sipas tij vuan ende në PD ndikimin e Sali Berishës. Sipas Topit, opozita duhet të ishte në terren, në kontakte të përditshme me qytetarët dhe jo përpara ekraneve apo në mbledhje të aleatëve.

“Duket sikur ende Basha vuan influencën e Berishës. Ky është perceptimi im. Unë mendoj se kjo e dëmton. Aksioni opozitar duhet të jetë një aksion tjetër, jo më një opozitë deklaratash mediatike, apo mbledhje të aleatëve. Opozita sot duhet të jetë në terren”, shtoi me tej ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd