Transmetuar më 25-07-2018, 16:23

Kuvendi ka shpallur zyrtarisht vakancën për një vend në Gjykatën Kushtetuese.

Bëhet fjalë pikërisht për vendin e lënë bosh nga Fatos Lulo, i cili u shkarkua nga detyra pasi nuk kaloi dot procesin e Vettingut. Shpallja e vakancës nga Kuvendi vjen pasi ndaj tij është dhënë vendimi i formës së prerë edhe në Komisionin e Posaçëm të Apelimit. Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese sot ka mbetur me vetëm dy anëtarë pasi katër gjyqtarë të tjerë nuk e kaluan dot Vettingun ndëkorhë tre të tjerëve u kishte mbaruar mandati. “Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “ç” dhe 179, pika 2, të Kushtetutës, dhe në nenet 7, pika 2, 7/a, 7/c, dhe 7/dh, pika 2, të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me qëllim plotësimin e ‘vakancës së parakohshme’ të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z.Fatos Lulo, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese”, bën me dije Kuvendi. E njëjta procedurë pritet të ndiqet edhe me vendet e tjera vakante sapo vendimi për gjyqtarët e shkarkuar të marrë formën e prerë./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd