Transmetuar më 22-07-2018, 19:20

Ministri gjerman për Çështjet Evropiane Michael Roth ishte sot në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Ai u prit nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në një takim të veçantë.

Dy ministrat, dhanë një konferencë të përbashkët për mediat ku dhanë informacione rreth çështjeve të diskutuara.

Ministri gjerman deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian dhe ka marrë tashmë një rekomandim pozitiv për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ai u ndal veçanërisht te procesi i Vettingut që e cilësoi si mjaft të rëndësishëm.

“Jam i bindur që Shqipëria do të vijojë kursin e reformave. Këtu bëhet fjalë për ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit. Me Vettingun ju keni treguar se ky proces ka qenë i suksesshëm. Fakti që deri tani 14 gjykatës dhe prokurorë janë shkëputur nga sistemi, tregon se shqiptarët e kanë kuptuar që qeveria është serioze. Merrni përgjegjësitë tuaja që të mos rrezikoni rrugën e Shqipërisë drejt BE. Duhet të jeni të vendosur në rrugën e reformave”, tha Roth në konferencën me ministrin Bushati.

Ndërkohë, Bushati vuri theksin te nisja e punës përgatitore për çeljen e negociatave. Ai tha se në vëmendje ishte edhe përfshirja e shoqërisë civile në proces, me qëllim që të ketë një dozë kritike në kuadër të reformave.

“Siç dihet javën e kaluar, komisioneri Hahn hodhi hapin e parë në proces. Dua që të përfitoj edhe një herë tjetër që të nënvizoj rëndësinë e madhe që ka ky process. Ne shkëmbyem pikëpamje edhe sa i përket situatës në rajon dhe e vlerësojmë partneritetin me Gjermaninë. Është një vend kritik i ndershëm”, tha Bushati./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd