Transmetuar më 20-07-2018, 13:48

Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori është paraqitur sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për procesin e Vettingut.

Zaganjori është i pranishëm pa avokat përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues që ka kryer procesin e rivlerësimit për kreun e Gjykatës së Lartë drejtohet nga Olsi Komici, me anëtarë Roland Ilia dhe Pamela Qirko.

Relatorja Pamela Qirko ka deklaruar se ILDKPKI e ka nxjerrë të pastër, pa probleme për pasurinë. Por, KPK kreu hetimin administrativ të sajin për verifikimin e pasurisë së Zaganjorit ku duket se janë konstatuar disa probleme.

Sipas KPK, kreu i Gjykatës së Lartë ka shmangur taksat dhe ka të dhëna kontradiktore për një apartament 293 metër katrorë.

“Subjekti ka deklaruar se burimi i financimit ka ardhur 3.9 milionë lekë nga shitja e apartamantit të parë dhe pjesa tjetër nga të ardhurat nga qeratë. Subjekti ka kryer deklarime fiktive për blerjen e apartamenteve. Ka shmangur taksat dhe ka fshehur vlerën e apartamenteve”, thuhet në raportin e KPK.

"Pasuria nr. dy ( dyqani), subjekti ka deklaruar në Vetting se është blerë për 1.4 milionë lekë me të ardhura personale dhe nga qiraja. Kjo pasuri është deklaruar edhe në vitin 2003 si bibliotekë për 1.8 milionë lekë. Sipas KPK vlera e kësaj është 500 mijë lekë sipas kontratës së shitjes. Pra Zaganjori ka deklaruar vlera të ndryshme. Ai ka shmangur tatimet, se në ZVRPP e ka deklaruar vlerën 500 mijë lekë", zbulohet në raportin e KPK.

Në vitin 2003 Zaganjori ka deklaruar bodrum plus zyrë me vlerë1.5 milionë lekë me burim qiranë nga biblioteka. Sipas verifikimeve vlera e këtij bodrumi është 500 mijë lekë sipas kontratës së bërë te noteri publik. Në lidhje me zyrën me sipërfaqe 15 metra katrorë blerë për 400 mijë lekë sipas deklaratës së Vetingut. Në vitin 2003 është deklaruar bodrum plus zyrë me vlerë 1.5 milionë lekë. Por sipas KPK dhe kontratës së shitblerjes përsëri del që e ka blerë për 500 mijë lekë.

KPK bën me dije në raport se Zaganjori nuk justifikon të ardhurat e para vitit 2003 që ka deklaruar. S’ka asnjë kontratë për këto qira. Ka mospërputhje me shpenzimet për studimet e djalit në Londër, ato dalin më të larta sesa nga ato që ka deklaruar.

Bashkëshortja e subjektit ka qenë anëtare e këshillit mbikëqyrës të një shoqerie që më pas është çregjistruar në QKR në vitin 2009, por kjo nuk është deklaruar kurrë prej tij./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd