
Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për regjistrimin e banesave të ndërtuara para vitit 1991”.
Në një dalje për mediat, drejtori i ALUIZNI-it Artan Lame sqaroi konkretisht efektet e këtij vendimi.
Ai tha se vendimi shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të objekteve të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon.
“Pra, qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë patur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht. Mjafton të kujtoj këtu absurdin që, edhe qytete si Gjirokastra, Shkodra, Berati, Elbasani apo Korça, i kanë ende të papajisur me dokumente pronësie shumicën e pronarëve të banesave në lagjet mesjetare të tyre”, u shpreh Lame.
Për herë të parë, shteti shqiptar filloi procesin e regjistrimit të banesave në vitin 1995. Kjo u bë asokohe me VKM 432 dt. 14.08.1995 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit”.
Ky vendim është aplikuar në atë kohë në masë minimale në disa zona rurale dhe, sikurse kuptohet nga vetë titulli, nuk e trajtonte problemin për të gjithë territorin e vendit.
“Më pas, është vijuar me VKM 608 datë 05.09.2012, i cili gjithashtu nuk e ka realizuar dot qëllimin e tij gjatë këtyre gjashtë viteve. Arsyet e dështimit të këtyre dy vendimeve të kaluara, lidhen së pari me mungesën e kapaciteteve njerëzore, por në shumë raste edhe të vullnetit, apo neglizhencën e njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë qenë organet e ngarkuara me kryerjen e këtyre procedurave. Së dyti, për sa i përket VKM nr. 608/2012, shkaqet lidhen edhe me burokratizimin e tepruar të procedurës dhe mbi të gjitha me qasjen jorealiste ndaj problemit”, u shpreh Lame.
Ai fton të gjithë qytetarët që kanë këtë problem të paraqiten në sportelet e ALUIZNI-t për nisjen e procedurave të regjistrimit./a.m./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





