Transmetuar më 20-07-2018, 11:30

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot seancën dëgjimore me prokuroren e pezulluar Rovena Gashi. Kjo e fundit nuk ishte e pranishme dhe nuk kishte dërguar as avokat.

Por, ajo kishte dërguar një letër në KPK e cila u bë publike, ku deklaronte se “vendimi ndaj saj ishte i paracaktuar dhe se seanca ishte një shfaqje për diskreditim publik”.

Pavarësisht mungesës, KPK ka vijuar seancën dhe është lexuar raporti në prani të përfaqësuesit të ONM.

Relatori Lulzim Hamitaj tha se Gashi, e cila ka nisur punë në vitin 2001 ka probleme me deklarimin e pasurisë. Raporti i ILDKPKI thotë se deklarimi i pasurive të Rovena Gashit nuk është i saktë, ka mungesë burimesh.

“Rovena Gashi zotëron një apartament te Shkëmbi i Kavajës me sipërfaqe 105 metra katrorë, i blerë në bashkëpronësi nga bashkëshortët Rovena Gashi e Dritan Gina, për 80 mijë euro. Në deklaratën e kontratës thuhet se do të paguhej në dy këste. Kësti i parë prej 30 mijë euro është paguar paraprakisht. Ndërsa kësti prej 50 mijë eurosh do të paguhej brenda vitit 2011 përmes një transferte bankare. Përsa i përket burimit finnanciar, shuma prej 45 mijë eurosh është marrë me kredi. Ndërsa shuma prej 35 mijë eurosh është dhënë me çmim preferencial nga Oliver Fucina, përfaqësues e ortak i kompanisë ndërtuese dhe kunat i prokurores. Ai e ka ulur çmimin duke falur 35 mijë eurot”, thuhet në raportin e KPK.

Po ashtu, sipas këtij insitucioni, rezulton se ka mospërputhje mes çmimit për blerje të apartamentit, nuk ka deklaruar burime të ligjshme për këtë blerje, që nga pagesa e parë prej 30 mijë eurosh e më pas edhe për burimin prej 50 mijë eurosh. Sipas KPK-së, janë bërë deklarime të pasakta, janë kryer akte fiktive noteriale dhe janë dhënë përgjigje të pasakta për pyetjet e KPK-së.

Gjithashtu ka një apartament 121 metra katrorë në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë. Prokurorja deklaron se banesën ia ka dhuruar i ati, Nuredin Gashi. Apartamenti është regjistruar më 20 nëntor 2013. Në 2 janar 2018 është konfirmuar për KPK-në se kjo pasuri është në emër të bashkëshortëve. Në kontratë është caktuar shuma prej 38 mijë e 800 dollarë, por rezulton se deklarata e dhurimit e bërë nga babai i prokurores nuk përmban elementët formalë. Përveç kësaj, apartamenti në fjalë nuk është deklaruar asnjëherë si pasuri nga Rovena Gashi, ndërsa babai i saj, në vitin 2004 nuk ka patur burime financiare për blerjen e apartamentit prej 38 mijë dollarësh që më pas ia ka dhuruar së bijës prokurore.

Mbi babain e Gashit është shtrirë hetimi administrativ lidhur me këto manovra. Nga konstatimi rezulton se nga viti 1990 deri në vitin 2004, vit në të cilin Nuredin Gashi pretendon se ka paguar apartamentin 38 mijë e 800 dollarë, ai nuk ka të ardhura financiare. Nuredin Gashi ka kryer një sërë veprimesh financiare të mëtejshme, nga ku rezulton se ato janë 8 herë më shumë sesa burimi i ligjshëm i të ardhurave.

Babai i prokurores, në vitin 2004 del me minus 5 milionë lekë, ndaj s’mund të ketë blerë apartament 38 mijë euro. Në lidhje me 16 kontrata të lidhura në OSSHE dhe Ujesjellësit, në Durres, për dy vjet Nuredin Gashi dilte me 160 milionë lekë minus. Ka kontrata OSSHE Ujesjellës për 12 apartamente në Durres dhe sipas tij janë të firmës që i ka ndërtuar pavarësisht kontratave dhe ka thënë se ka vetëm 2 që janë të tijat, 1 magazinë dhe 1 dyqan. Sipas KPK, gjithsej 16 prona në Durrës që ua paguan Nuredin Gashi dritat dhe ujin.

Gashi ka kërkuar në qershor që të mos dalë në veting se ishte e pezulluar. Por KPK ia rrëzoi kërkesën. Trupa gjykuese pasi kishte kryer hetimet për pasurinë më 26 qershor njoftoi Gashin për mbylljen e hetimeve dhe e ftoi atë që të paraqiste shpjegimet. Subjekti pasi u njoh me dosjen paraqiti shpjegimet dhe dokumentat dhe ka paraqitur edhe 12 kërkesa të ndryshme. Këto janë vlerësuar nga KPK si tentative për zvarritjen e procesit. Vendimi për Rovena Gashin do të jepet më 25 korrik./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd