Transmetuar më 20-07-2018, 08:19

Pas zbulimit të dënimit që kishte në Itali për grabitje, ndaj gjyqtarit Admir Thanza prokuroria ka nisur hetimet për falsifikimin e formularit të vetëdeklarimit, pasi nuk e kishte deklaruar këtë çështje.

Mësohet se organi i akuzës i ka dërguar një letërporosi autoriteteve italiane ku kërkon më shumë informacion lidhur me dënimin e gjyqtarit në këtë shtet, dënim dhënë në vitin 1999.

Në letërporosinë për gjyqtarin që u shkarkua pas procesit të Vettingut, prokuorria kërkon të njihet me rrethanat e ngjarjes në fjalë dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Thanza ishte dënuar në Itali me 40 ditë burg për vjedhje në bashkëpunim në vitin 1999, dënim të cilin ai nuk e kishte deklaruar në formular.

Lidhur me këtë çështje, ai tha përpara anëtarëve të KPK-së se vjedhjen e kishte kryer kunata e tij, por ai e mori përsipër për të ndihmuar nipin e tij të sëmurë që po kurohej në Itali, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ishte përfaqësuesja e ONM që zbuloi dosjen e dënimit të Thanzës./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd