Transmetuar më 19-07-2018, 10:41

Aksidentet vijojnë të marrin jetë njerëzish me gjithë shtimin e patrullave në rrugët e vendit.

Policia Rrugore në Elbasan ka kryer kontrolle shtesë në të gjitha akset rrugore, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjithë ata që drejtojnë mjetet pa patentë, me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e alkoolit, pa vendosur rripin e sigurimit apo duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe për shkelje të tjera të cilat janë burim aksidenti.

Gjatë orëve të fundit Policia Rrugore  e Elbasanit ka evidentuar, proceduar dhe arrestuar  9 drejtues mjetesh për udhëtim në gjendje të dehur apo pa patentë.

Ndërkohë, dy të mitur 14 dhe 15-vjeçarë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa patentë.

Janë dërguar në komision, 39 drejtues mjetesh për shpejtësi  tej normave të lejuara, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit si dhe për mos vendosje të rripit të sigurimit.

Gjithashtu janë vendosur 150 masa administrative nga të cilat:  24 për mos vendosje të rripit të sigurimit, 56 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 12 për shpejtësi tej normave të lejuara si dhe 11 për parakalime të gabuara dhe pjesa tjetër për shkelje të ndryshme./a.m./noa.al/