Transmetuar më 13-07-2018, 11:19

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Evropian Johanes Hahn ku në fokus të takimit ishin diskutimet rreth hapave që duhet të hedhë Shqipëria për çeljen e negociatave.

Pas takimit, Komisioneri Hahn deklaroi se tashmë ka nisur puna konkrete për procesin “screening”. Sipas tij, janë 35 kapituj në fusha të ndryshme për të cilat Shqipëria duhet të punojë në mënyrë që të përmbushë kriteret e duhura.  

“Mbështetja nga vendet e BE ishin pikërisht pas rezultateve të arritura. Tani detyra për gjithë qeverinë, administratën, të merren me procesin e ‘screening’. Kemi të bëjmë me fusha të ndryshme, me 35 kapituj. Duhet të shohim se sa Shqipëria po punon për të përmbushur kriteret. Ne jemi në fillim të procesit dhe kjo është përcaktuar shumë qartë nga Këshilli se Komisioni duhet të fillojë përgatitjet për negociatat, gjë që duhet bërë dhe kjo ka ndodhur për të gjithë vendet kandidate”, deklaroi Hahn.

Ndërkohë, kryeministri Rama tha se Shqipëria do bëjë gjithçka për të përmbushur të gjitha kërkesat e vendosura nga unioni. Ai tha se Shqipëria është gati për këtë proces në funksion të kalimit të të gjithë hapave të domosdoshëm.

“Na presin muaj shumë të rëndësishëm të vështirë në mënyrë që të jemi të përgatitur. Do bëjmë gjithçka çfarë ju keni kërkuar. Dua të theksoj se për ne është shumë e rëndësishme vlerësimi i bërë nga KE por jo vetëm. Ka qenë shumë e rëndësishme për ne që vendet e BE të njohin meritat e Shqipërisë, dhe që arritëm në një kompromis të mirë. Jemi të gatshëm për këtë proces. jemi tepër të interesuar që të vazhdojmë në drejtimin tonë. Për të gjitha hapat do ketë përpjekje të mëdha”, tha Rama./a.m./noa.al/