Transmetuar më 12-07-2018, 13:28

“Fundi i arratisë” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, i zhvilluar gjatë ditës së sotme, ku pas dhjetë vitesh në kërkim, u arrestua një person i dënuar për vrasje, krim i kryer në Itali.

Policia e Tiranës, në bashkëpunim me atë të Vlorës dhe shërbimin italian “Interforze” në Shqipëri, arrestuan paraditen e sotme Ylli (Fatmir), Vangjelaj, 42 vjeç, banues në Vlorë.

Në sajë të shkëmbimit të informacioneve në kohë rekord policisë shqiptare dhe asaj italiane, u bë kapja e tij në kryeqytet.

Prokuroria e Vlorës në prill të vitit 2009, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit të 25 marsit 2009 të Gjykatës së Vlorës, e cila e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprën penale të “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim”.

Vrasja për të cilën është dënuar Vangjelaj, është kryer në Itali në vitin 1999, si porosi e një grupi kriminal, ku është vrarë një shtetase ekuadoriane e cila dyshohej se punonte si prostitutë.

42-vjeçari i fshihej drejtësisë që prej 10 vitesh duke përdorur gjeneralitete të rreme.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automjet i markës “Wolksvagen Passat”, një leje drejtimi e cila dyshohet e falsifikuar pasi përmbante gjeneralitetet e të vëllait të personit të kërkuar dhe dy telefona celularë.

Vangjelaj iu dorëzua policisë së Vlorës, për ekzekutimin e vendimit penal, pasi Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin penal të Gjykatës Italiane e cila e ka dënuar me 23 vite burg. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd