Transmetuar më 12-07-2018, 12:46

Deputeti demokrat Gent Strazimiri, thotë se raporti i antidrogës italiane për vitin 2017 provoi zyrtarisht se Edi Rama ka mashtruar shqiptarët, Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur shpalli vitin e kaluar se qeveria e tij e ka hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit.

Në një dalje për mediat ditën e sotme, ai deklaroi se konkluzioni i antidrogës italiane se “Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës me destinacion tregjet italiane dhe evropiane”, si dhe konkluzioni se “trendi i dyfishinit të konfiskimeve vjen nga droga e kutivuar në Shqipëri”, tregon se mbështetja politike për organizatat kriminale të kultivitimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri është rritur para dhe pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar.

Sipas tij, raportin e antidrogës italiane, që konfirmon se grupet kriminale shqiptare kanë dalë në pah edhe për trafikun e kokainës, nuk e ka shkruar PD, por raporti konfirmon se nga kanabisi është kaluar tek kokaina dhe se qeveria e Edi Ramës është garant për paprekshmërinë e bosëve të drogës në Shqipëri.

“Duke përdorur brutalitetin dhe paranë e tyre pistë të drogës, Rama mban pushtetin, pasurohet dhe pastron në ekonomi paratë e drogës. 3.4 milionë euro me Toyota Yaris nuk janë rastësi. 618 kg kokainë apo 180 milionë euro në Portin e Durrësit nuk janë rastësi.

Moskapja e bosëve të drogës në të dy rastet nuk është rastësi. Prandaj nuk është rastësi mashtrimi i Ramës për shpalljen e fitores së luftës kundër kanabisit dhe heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit. E vërteta është se Edi Rama e ka hequr Shqipërinë nga harta e vendeve anëtarë të Bashkimit Europian”, u shpreh Strazimiri.

Ai shtoi se kultivimi dhe trafikimi i drogës, si dhe pastrimi i parave të pista nga organizatat kriminale me mbështetje qeveritare janë dy nga arsyet kryesore pse Shqipërisë nuk iu hapën negociatat.

Në këtë linjë shtoi, as kanë për të na u hapur në 2019-ën, sepse Edi Rama është përfituesi kryesor i parave nga kultivimi dhe trafikimi i drogës, është forca e krimit, që bën prej 5 vjetësh ligjin në Shqipëri.

Në mbyllje të qëndrimit të tij, deputeti demokrat deklaroi se mediat kryesore europiane tani po e shprehin hapur se “paratë e drogës janë bërë para të politikës në Shqipëri”. /a.y/noa.al

Italia publikon raportin e vitit: Na mbyti droga shqiptare

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd