Transmetuar më 12-07-2018, 10:41

“Basti i fundit” u kodua një operacion i policisë së Kavajës, ku pronari i një loto sporti u arrestua, pasi në ambientet e biznesit të tij shitej kokainë.

Operacioni u zhvillua mbrëmjen e djeshme, e mërkurë, nga policia e Kavajës, forcat “Shqiponja” dhe “Shigjeta”.

I arrestuari është Erti Kadiu, 31 vjeç, banues në Kavajë, pronar i një pike lotoje.

Shërbimet e policisë Kavajë, ishin në ndjekje të tij, pasi dispononin informacion se Kadiu në pikën e tij të lotos shpërndante lëndë narkotike.

Kështu gjatë kontrollit të ushtruar ditën e djeshme në pikën e lotos së tij u gjetën doza lënde narkotike të kokainë, peshore elektronike, municion luftarak dhe kompjuterë për ushtrim lojërash fati pa leje.

Më konkretisht në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër kompjuterë lojërash fati, 21 doza kokainë, 45 fishekë model 56, 15 fishekë model “Parabelium”, 9 fishekë model 54, një sasi në lekësh dhe dollarë, një peshore elektronike, 6 aparate celularë dhe një makinë tip “Ford”.

Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 31-vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe disa dokumente shtetërore të dyshuara të falsifikuara.

Ndaj Kadiut hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Kavajës për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd