Transmetuar më 12-07-2018, 10:13

Drejtoria e Antidrogës në Itali bëri publik sot një raport për lëndët narkotike ku theksohej se “shumica e sasive të marijuanës kishte si vend origjine Shqipërinë”.

Sipas raportit, gjatë vitit 2017 u rrit ndjeshëm sasia e drogës së konfiskuar me një total prej 90 tonësh, nga 41 që ishte vitin paraardhës.

Lidhur me raportin në fjalë ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të grupit të LSI Petrit Vasili.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Vasili shkruan se “raporti tronditës i Drejtorisë së Antidrogës Italiane demaskon përfundimisht qeverinë shqiptare dhe ndëkombëtarët që heshtën".

Ai thotë se raporti vërteton përfshirjen e qeverisë në trafikimin e narkotikëve.

“Drogështeti që sundon në Shqipëri është tashmë një konstatim që europianët po e bëjnë qartë me fakte demaskuese dhe shifra të frikshme.

Këto janë fakte të tmerrshme të cilat janë sot përpara çdo shqiptari dhe që rrënojnë në çdo orë e çast sigurinë e vendit, shkatërrojnë të tashmen dhe të ardhmen e të rinjve, asgjësojnë ekonominë e vendit dhe bisneset e ndershme dhe pengojnë integrimin europian të Shqipërisë duke e izoluar atë”, vijon Vasili./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd