Transmetuar më 11-07-2018, 15:02

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar ditën e sotme në lidhje me ftesën e bërë nga deputeti socialist Taulant Balla për të votuar projekt-ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Kryemadhi shkruan se kjo forcë nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve për të shpëtuar Edi Ramën. Kryetarja e LSI-së ka mohuar zërat për një marrëveshje me Partinë Socialiste.

“Çdo përpjekje tjetër për ta përfshirë LSI në bisedime është thjesht pjesë e fantazisë së sëmurë të Edi Ramës, që sot më shumë se kurrë është i gatshëm të blejë e të shesë çdo gjë e çdokënd në emër të pushtetit, por që duhet t’a ketë më shumë se kurrë të qartë, se për të shpëtuar karrigen e tij nuk do ketë kurrë ndihmën e LSI-së”, ka shkruar ndër të tjera, Kryemadhi.

Ajo ka vijuar më tej duke thënë se “Ne do vazhdojmë të jemi pjesë e opozitës së bashkuar, me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës!”.

Të hënën, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka arritur të kalojë në votim projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi nuk kishte numrat e duhur për të shkuar në këtë proces.

Miratimi i këtij projektligji kërkon minimalisht 84 vota, çka përbënte edhe një sfidë për mazhorancën qeverisëse.

Opozita ndërkohë kishte braktisur këtë seancë plenare, duke mos marrë pjesë fare si në diskutim, ashtu edhe në votim.

Ishte pikërisht kjo arsyeja që votimi i projektligjit të dështojë, pasi në Kuvend nuk ishin 84 deputetë të pranishëm.

Kërkesa për shtyrjen e votimit të këtij projektligji u dorëzua në Kryesinë e Kuvendit nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, me argumentin se në sallë mungonte opozita.