Transmetuar më 10-07-2018, 19:26

Partia Demokratike e quan fakt të rëndë konfirmimin në detyrë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i bëri gjyqtarit Admir Thanza.

Ky i fundit rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë, dhe ky fakt sipas Partisë Demokratike mjafton për ta shkarkuar nga detyra.

“Për këtë qëllim, apelojmë Presidentin e Republikës, si organ kushtetues përgjegjës për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, që të urdhërojë shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarit Admir Thanza, në kuadër të detyrimeve që burojnë nga ligji i dekriminalizimit”, thuhet në njoftimin për mediat.

Kritika adresohen edhe për komisionet e vetingut.

“Komisionet e vettingut janë njohur me këtë të dhënë në mënyrë zyrtare që në muajin Prill 2018 dhe do të duhet të kishin urdhëruar menjëherë shkarkimin nga detyra të gjyqtarit në fjalë, pa patur nevojë për të vijuar edhe për 3 muaj procedurat e vlerësimit”, thuhet në reagimin e PD-së.

Një tjetër kërkesë PD adreson edhe për prokurorinë për “fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtarit të lartë për shkeljen e ligjit të dekriminalizimit prej tij”. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd