Transmetuar më 08-07-2018, 14:03

Nga Astrit Patozi

Meqë më akuzojnë prej kohësh se jam subjektiv kur gjykoj për aktet politike të Lulzim Bashës, sot po u jap atyre provën e kundërt.

Jam pro tij fort për mosdjegien e mandateve të deputetëve të Partisë Demokratike, jo thjesht për faktin se LSI-ja nuk i dorëzon të vetat kurrë, sepse Monika thotë që i kanë fituar me gjak.

Kam qenë i këtij mendimi qysh në fillim fare, atëherë kur për herë të parë dikush e hodhi si ide, dhe unë sot i qëndroj ende njësoj bindjes sime.

Edhe "radikalët" i mirëkuptoj, sepse janë të njëjtët, që i binin gjoksit me grusht para një viti, duke u betuar se opozita nuk duhet të hyjë kurrë në zgjedhje me Edi Ramën.

Më pas, po këta ishin të parët, që fërkuan duart për pazarin e 18 majit dhe, natyrisht, e ndoshta për pasojë ishin edhe më të kuotuarit e listës Basha.

Unë mendoj se mandatet e opozitës nuk ka nevojë të digjen, në asnjë rast, por ato thjesht duhet të përdoren ndershmërisht dhe mençurisht.

Lulzim Basha, as i djeg dhe, as i përdor, ndaj, jo rastësisht, të kujton një shprehje vulgare që është bërë shumë popullore kohët e fundit.

Dhe, sipas meje, ky është edhe shkaku kryesor i kësaj krize të pashembull të Partisë Demokratike dhe të opozitës zyrtare të këtij vendi.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al