

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e koordinatores Kombëtare të Antikorrupsionit, dha informacion lidhur me veprimet e task forcës.
Në një konferencë për mediat këtë të shtunë, Gjionaj tha se janë dhënë 172 masa disiplinore dhe 28 largime nga detyra.
“Kemi depozituar tre kallëzime penale për 6 drejtues të lartë të administratës. Kallëzim penal është bërë edhe për drejtuesin e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Krujë. Janë konstatuar vonesa pa asnjë justifikim, veprime të dyshuara për korrupsion lidhur me certifikatat e pronësisë etj.,” u shpreh Gjonaj.
Ajo tha se kallëzim penal është bërë edhe për drejtorin e ALUIZNI-t Sarandë dhe
për tre të tjerë në sektorin e legalizimit dhe kalimit të pronësisë, pasi dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën duke legalizuar sipërfaqe në dokumente më të mëdha se në realitet.
Ministrja e Drejtësisë deklaroi se është bërë kallëzim penal edhe për përgjegjësin e sektorit në asistencën ndaj shërbimit të tatimpaguesve në Vlorë, i cili dyshohet për veprime duke shpërdoruar detyrën. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





