Transmetuar më 07-07-2018, 09:58

Një anije është zhdukur në rrethana të paqarta nga porti i Durrësit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ende pa zbardhur e shtuna.

Bëhet fjalë për anijen “SeaScaner”, e cila kishte disa ditë e ankoruar në portin e Durrësit, për shkak se nuk kishin përfunduar procedurat për ngarkesën.

Mësohet se anija transportonte rreth 6 mijë ton kripë, për llogari të një biznesi në Durrës.

Ngarkesa vinte nga Egjipti, ndërkohë që anija u largua në orën 03.30 të mëngjesit të sotëm, pa marrë leje nga kapitaneria.

Mësohet se një pjesë e sasisë ishte shkarkuar, por një pjesë e saj nuk ishte pranuar nga biznesi shqiptar, me pretendimin se ishte e lagur.

Dyshohet se largimi i anijes tregtare ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve me biznesin shqiptar.

Aktualisht autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me ato të Italisë dhe Kroacisë, po punojnë për bllokimin e anijes. /a.y/noa.al

Foto ilustruese

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd