Transmetuar më 06-07-2018, 17:40

Historia e saj tronditi opinionin pasi u raportua se u rrëmbye nga një 40-vjeçar me të cilin familja e saj kishte lidhje miqësie.

Lidhur me zhdukjen e 17-vjeçares nga Gjirokastra me inicialet Sh.Xh., pjesëtare e komunitetit rom, u ndalua edhe personi i dyshuar për rrëmbimin e saj, shtetasi Shpëtim Muharremi.

Ky i fundit tha se e mori vajzën si nuse për djalin e tij, i cili rezulton një person me probleme mendore.

Por, kur policia ndaloi Muharremin, nuk e gjeti vajzën. Fati i saj ishte mister deri kur vajza reagoi vetë.

Ajo ndodhet në Levan të Fierit dhe mësohet se është bashkuar me një person të cilin thotë se e dashuron.

E mitura flet shumë pak shqip pasi njeh vetëm gjuhën e vjetër rome. Ajo tha se iku me dëshirë nga banesa pasi prindërit e martuan me një person që nuk  donte.

Ajo thotë se tashmë është pranë njeriut të zemrës.

“Jo nuk më kanë rrëmbyer. Mora Edin, erdha tek burri. Prindërit më kanë kërkuar. Por s’doja të kthehesha se mora burrin. Do qëndroj tek burri. Dua të rri me Edin. Babai më martoi me zor me një burrë tjetër, më çoi në Sarandë, ai më hoqi fëmijën. S’dua të flas me babain as nuk dua të iki”, tha vajza.

Nuk dihet ende e vërteta e deklaratës së fortë të minorenes e cila akuzon prindërit se e kanë detyruar të bëjë një abort.

Policia po kryn veprimet hetimore për të zbardhur gjithë të vërtetën./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd