Transmetuar më 06-07-2018, 15:55

Pas akuzave për manipulimin e rezultatit gjatë votimit të projektligjit që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të godinës së re, opozita ka ndërmarrë hapa konkret për të kundërshtuar atë votim.

Përmes një shkrese zyrtare drejtuar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, opozita kërkon anulimin e votimit.

Letra është firmosur nga dy krerët e grupeve të PD dhe LSI, përkatësisht Edmond Spaho dhe Petrit Vasili të cilët kanë argumentuar se në listën e votuesve ka edhe deputetë që nuk ishin fare prezentë.

“Në votim kanë qenë shënuar deputetë që s’kanë qenë prezent. Votimi i ligjit është falsifikuar, antikushtetues dhe nul”, shkruhet mes të tjerash në letrën e tyre.

Opozita i referohet emrit të deputetit të LSI Vangjel Tavo. Sipas opozitës, edhe pse ai nuk ka qenë fare në Parlament, rezulton mes votuesve në procesverbal.

PD dhe LSI akuzojnë mazhorancën se ka pasur vjedhje votash dhe duke “pranuar një votim nul bie parlamentarizmi”.

Projektligji për teatrin u miratua mbrëmjen e së enjtes me 75 vota pro pas një seance maratonë me debate të ashpra./a.m./