Transmetuar më 06-07-2018, 11:47

Qeveria shqiptare dhe ajo e Britanisë së Madhe kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi, që synon përmirësimin e drejtësisë penale, duke hetuar dhe parandaluar veprimtaritë antiligjore në territoret përkatëse, përmes shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat kriminale.

Memorandumi u firmos nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj për palën shqiptare, si dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë Norman Duncan për palën britanike.

Marrëveshja e nënshkruar në ambientet e ministrisë së Drejtësisë, krijon kushtet ndërmjet palëve për shkëmbimin e informacionit të historikut kriminal, lidhur me një dënim apo gjurmët e gishtave, për shtetas të Mbretërisë së Bashkuar dhe shtetas shqiptar.

Kjo do të ndihmojë në cilësinë e drejtësisë penale, duke rritur informacionet e shkëmbyera, administruar nga dy vendet partnere. Informacion mes agjencive do të shkëmbehet edhe për shtetas nga vendet e treta, duke zvogëluar në këtë mënyrë kërcënimet e sigurisë së brendshme dhe sigurisë publike.

Pas marrëveshjes, ambasadori britanik Duncan Norman u shpreh se, “Shkëmbimi i informacionit është një pjesë shumë e rëndësishme në punën tonë për luftën kundër krimit të organizuar. Ky memorandum mirëkuptimi që nënshkruam sot, është një demonstrim se sa pranë janë të dy vendet tona tani, në përpjekjet e përbashkëta për luftuar këtë problem që na prek të gjithëve.  Ky është një shembull shumë i mirë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim për të qenë edhe më shumë efektiv për të luftuar krimin e organizuar, këtu në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd