Transmetuar më 06-07-2018, 11:26

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, thotë se Shiqpëria ka shumë punë për të bërë, në mënyrë që në qershor të vitit 2019, të marrë rekomandimin për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një intervistë për portalin politik “Euroactiv”, ministri shprehet se Shqipëria nuk është gati që të bashkohet me BE, qysh nesër.

“Ne kemi shumë punë për të bërë në fillim, por dua të theksoj se reformat bëhen për njerëzit tanë, sepse ata meritojnë më shumë. Shqipëria nuk është gati të bashkohet me BE-në nesër. Megjithatë, do jemi gati për procesin e zgjerimit në qershor 2019”, shprehet Bushati.

Sipas tij, është qeveria ajo që i ndjek reformat dhe jo sepse Bashkimi Europian i kërkon, por se shqiptarët janë të parët që përfitojnë nga programi i reformave.

Ai shtoi se vendimi për hapjen e negociatave vitin që vjen, është njohje e punës së bërë.

“Ne jemi në rrugën drejt një demokracie më të fortë dhe më të shëndetshme në Shqipëri. Është një rrugë e gjatë që shtrihet para nesh, por njerëzit me të drejtë presin që ne t’i drejtojmë. Ne nuk mund të lejojmë vetes që të dështojmë dhe me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë evropianë, ndaj do të kemi sukses”, deklaroi ministri i Jashtëm. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd