Transmetuar më 05-07-2018, 10:42

Ditën e sotme Kuvendi pritet të votojë projektligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Në këtë projektligj parashikohet shembja e godinës ekzistuese të Teatrit dhe ngritjen e një godine të re.

Por kundër këtij projektligji paraditen e sotme, artistët janë mbledhur në protestë, të mbështetur edhe nga opozita.

Aktori Neritan Liçaj në emër të artistëve, kërkoi që Avokatja e Popullit të verifikojë ligjshmërinë e gjithë këtij procesi.

“Ne jemi kundër këtij ligji, jemi kundër shembjes së Teatrit. Ky projekt ligj vjen në kundërshtim me disa ligje të tjera në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi aktori.

Sakaq aktori Bujar Asqeriu kërkoi që parlamenti të mendohet mirë para se të votojë ligjin që kafshon trashëgiminë dhe kulturën.

“Kini kujdes! Mos luani me artistët! Artistët i kanë dhënë flakë dhe zjarr këtij vendi, ndaj kujdes me artistët! Kalojeni këtë nen në zemrën dhe shpirtin tuaj, psikologjikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht dhe do të kuptoni në ndërgjegjen tuaj se po gaboni. Mos e kafshoni Teatrin. Ju bëjmë thirrje për herë të fundit”, deklaroi aktori Bujar Asqeriu.

Artistët protestojnë, kundër grabitjes së pronës publike dhe shkatërrimit të trashëgimisë dhe në videon më poshtë mund të ndiqni gjithçka direkt. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd