Transmetuar më 04-07-2018, 18:38

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Maqellarë të Dibrës ku një fëmijë 13-vjeçar i dha fund jetës. I mituri me inicialet F.R., u gjet nga familjarët i vetëvarur në një pemë rreth 200 metër larg nga banesa.

Policia nuk konstatoi shenja dhune pas këqyrjes së kufomës. Të gjitha provat e siguruara vërtetojnë se i mituri i ka dhënë fund jetës vetë.

Pas marrjes në pyetje të familjarëve, policia ka një pistë konkrete për motivet e aktit fatal. Raportohet se i mituri ishte qortuar nga prindërit e tij pak para se të vetëvritej.

Gjithçka ka ndodhur pasi atë e akuzonte një bashkëmoshatar nga fshati se i kishte vjedhur një varëse floriri.

Edhe fqinjët konfirmuan për policinë se dëgjuan debate nga banesa e të miturit. Gjatë së hënës, i mituri luajti futboll me disa fëmijë të tjerë në një fushë të fshatit Karcisht. Në lojë e sipër, njërit prej fëmijëve i humbi një varëse floriri dhe akuzoi të miturin se ia kishte marrë, gjë të cilën ai nuk e pranoi.

Ai u ndoq deri te shtëpia nga fëmija që i kërkonte varësen edhe në sy të prindërve.

Në ato momente, ata i kanë bërtitur dhe i kërkuan t’i rikthente varësen.

13-vjeçari u përgjigj se nuk ka çfarë t’i kthejë pasi nuk e ka gjetur ai. Pas debateve edhe në banesë, i mituri u largua dhe vari veten. Kërkimet gjatë natës rezultuan pa sukses ndërkohë prindërit e gjetën atë mëngjesin e së martës të pajetë./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd