Transmetuar më 03-07-2018, 12:10

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar dy kontenierë me mish, të importuara nga Brazili.

Bëhet fjalë për 50.2 tonë mish, i cili rezultoi i infektuar. Kjo pasi analizat e mostrave treguan prani të salmonelës.

Në një njoftim zyrtar të ditës së sotme, u bë me dije se në kuadër të masave të gjithanshme të MBZHR-së për kontroll efikas për sigurinë ushqimore, AKU ka vijuar me kontrollet rigoroze të ngarkesave me produkte shtazore nga importi.

Kështu së fundi AKU ka bllokuar dy kontenierë me mish, të importuara nga Brazili, në total 50.2 tonë mish, pasi nga analizimi i mostrave u konstatuan me prezencë salmonela. Aktualisht po vijojnë procedurat për kthimin në origjinë të produktit.

Gjatë këtij viti nga AKU janë bllokuar e kthyer në origjinë edhe 5 kontenierë të tjerë, me 130 tonë mish.

Numri total i ngarkesave të importuara nga Brazili gjatë kësaj periudhe të vitit është 195 kontenierë; secili prej të cilëve është kontrolluar e analizuar me rigorozitet.

AKU thotë se kontrollet efikase të shoqëruara me cilësinë e analizave janë garanci e plotë, që produktet që futen në treg janë të sigurta. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd