

Pas punimeve në autostradën Tiranë-Durrës, devijohet qarkullimi në një tjetër segment rrugor.
Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se në orën 06:00 të së hënës do të nisë ndërhyrja për rehabilitimin e segmentit rrugor Degëzimi Vorë (shinat e trenit) – Fabrika e Tullave (rruga e vjetër).
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të rehabilitimit në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur si dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.
Bllokimi i aksit rrugor dhe devijimi i trafikut do të fillojë në orën 06:00 të ditës së hënë. ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor ju kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:
-Trafiku i mjeteve të renda që vijnë nga Veriu në drejtim të doganës së Tiranës do të vijojnë normalisht nga Fushë Kruja në Doganë dhe do të kthehen përsëri nga i njëjti segment rrugor dhe do të vijojnë sipas destinacionit përkatës.
-Trafiku i mjeteve të rënda nga veriu në drejtim të portit të Durrësit dhe Jug do të përdorin segmentin Fushë Krujë- Kamëz – rreth rrotullimi “Casa Italia”- Durrës.
-Trafiku i mjeteve të rënda nga Jugu, Elbasani në drejtim të veriut do të përdorin segmentin rreth rrotullimi “Casa Italia”- Kamëz- Fushë Krujë.
-Drejtuesit e autoveturave do të vijojnë normalisht drejt destinacioneve respektive duke përdorur urën e Vorës.
-Transporti i udhëtareve në të dy drejtimet do të përdorin segmentin e rrugës së aeroportit të Rinasit dhe mbikalimit të Kasharit.
-Ky devijim do të vazhdojë deri në përfundim të punimeve të rehabilitimit. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





