
Në 10 vitet e fundit vihet re një tendencë në rritje për kirurgjinë plastike në vendin tonë. Mosha varion nga 18 deri në 65 vjeç.
Ndërsa çmimet, luhaten nga 200 euro një mbushje buzësh, deri në tremijë euro për rimodelim gjoksi.
Mjeku Besim Boçi tregon se cili është operacioni estetik që has më shpesh te moshat e mitura në shërbimin ORL që ai drejton prej vitesh.
“Veshët llapushë që sjellin pasoja sociale tek fëmija, mund të kthehen në objekt talljeje nga shokët, ndaj ndërhyrja bëhet që në fëmijëri, pa asnjë pasojë”, – shprehet kirurgu plastik Besim Boçi për Top Channel.
Mjeku pohon faktin se kirurgjia plastike është kthyer në industri më vete në Shqipëri.
Profesor Boçi duke u ndalur në kirurgjinë estetike (plastike) pohon se ajo duhet të fillojë vetëm pas moshës 18 vjeç.
“Rimodelimi i hundës është operacioni më i shpeshtë”, – thotë kirurgu.
Vendimi merret nga vetë të rinjtë në pjesën më të madhe.
Megjithatë është fakt se media dhe sidomos rrjetet sociale, po i shtyjnë së tepërmi të rinjtë të rendin pas operacioneve plastike.
“Unë jam me rezerva për ndërhyrje të caktuara tek 18 apo 20-vjeçarët, si në gjoks apo në buzë, pasi kanë freskinë e moshës dhe më shumë shëmtohen se zbukurohen”, thekson jeku Boçi.
Ka dhe një kategori që nuk dinë se çfarë kërkojnë kur paraqiten tek mjeku.
“Më bëj hundën se do të gjej punë", – citon mjeku një rast dhe përmend një të dytë: "Dua të bëj hundën operacion sepse dua të zë të dashur”, tregon mjeku.
Profesor Boçi tregon vështirësitë për të hequr silikonin që përdorej dikur. “Vijnë raste që mezi i heqin femrave silikonin që injektuan dikur”.
Doktor Boçi veçon edhe një rast nga përvoja e tij, duke përmendur atë të një të moshuari që bëri hundën.
“Një burrë 65 vjeç rimodeloi hundën. Nuk i përkiste botës së artit, ishte një njeri i thjeshtë dhe më bëri përshtypje”, tregon mjeku.
Kurse veçon edhe faktin tjetër se vitet e fundit po "vijnë edhe të huaj pasi janë çmime më të lira”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





