Transmetuar më 24-06-2018, 09:08

Dy lojtarët e Zvicrës me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë kritikuar për shkak të gjesteve të bëra pas shënimit të golave në ndeshjen kundër Serbisë.

Xhaka dhe Shaqiri shënuan dy golat për Zvicrën në lojën në kuadër të Kampionatit Botëror të Futbollit, që po mbahet në Rusi.

Që të dy lojtarët festuan golat duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrerëshe.

Pas ndeshjes, trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç tha se futbolli dhe politika “nuk duhet të përzihen asnjëherë”.

“Është mirë të jesh tifoz dhe është e rëndësishme të shfaqësh respekt”, tha ai.

Shaqiri pas ndeshjes tha se gjesti i tij ishte “emocional” dhe jo politik.

Granit Xhaka ka lindur në Zvicër dhe prindërit e tij janë me origjinë nga Kosova.

Vëllai i tij, Taulanti luan për kombëtaren e Shqipërisë.

Ndërkaq, Xherdan Shaqiri ka lindur në Kosovë.