Transmetuar më 22-06-2018, 12:00

Kryeministri Edi Rama zhvilloi mesditën e sotme një dëgjesë publike me pakicat kombëtare, në zonën e Karahaxhit në Sarandë.

Rama tha se qeveria aktuale ka trashëguar një marrëveshje të papranueshme për detin me Greqinë dhe për pasojë ka pasur tensione me kolegët në Athinë, pasi Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar dhe kërkohet marrëveshje e re.

Ai deklaroi se është bërë një progres i jashtëzakonshëm, ku shtoi se do të ketë një marrëveshje të re, në respekt reciprok me njëri-tjetrin.

Rama tha se gjithçka e rremë që është thënë për marrëveshjen e detit do të shpohet si tullumbace dhe se marrëveshja për detin, do të konkretizohet në hartë dhe se kushdo do mund të gjykojë midis pamjes së detit në marrëveshjen që ishte dhe pamjes së detit në marrëveshjen që do të bëhet.

“Aty do të shohin që jo vetëm kemi bërë marrëveshjen e duhur për vendin tonë! Por edhe se këta të dëshpëruar që nuk kanë as ide, as program dhe lider jo e jo dhe që pafuqinë e tyre, po e kthejnë në një forcë të madhe destruktive dëshpërimi, duke i bërë qindin Shqipërisë ku do ku bie ndesh në kryeqytetet e Europës, për të luftuar kundër çeljes së negociatave”, u shpreh Rama.

Ai tha se opozita ka nisur të flasë për 600 mijë ushtarë të ISIS-it që të vijnë në Shqipëri.

Kreu i qeverisë deklaroi, se askush në Europë nuk mund të mendojë se Shqipëria të bëhet një pikë grumbullimi as refugjatësh dhe as ushtarësh terroristë.

Rama tha se edhe nëse do propozohet nga dikush, do qeshet me keqardhje dhe do i sugjerohet një psikolog.

Kryeministri ironizoi duke thënë se më në fund Esat Pasha i ka gjetur pasardhësit, të cilët sipas tij hedhin përditë bomba kundër vendit, me shpresën se shqiptarët do çmenden dhe do shkojnë pas berihait, duke i mashtruar për marrëveshjen e detit dhe pas 600 mijë ushtarëve të ISIS.

Rama shprehu besimin se drita jeshile për integrimin, do të ndizet në një mënyrë apo në një tjetër dhe se Shqipëria do të hyjë në fazën historike të negociatave. Sipas tij, ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria të mos mbetet në vend numëro, por që të bëhet një shtet i denjë europian. /a.y/noa.al