Transmetuar më 22-06-2018, 10:31

125 deputetë të Holandës kanë votuar kundër propozimit të hapjes së negociatave të integrimit me Shqipërinë.

Pas mocionit të paraqitur ku vlerësohej se vendi ynë nuk i ka plotësuar 5 prioritetet, deputetët kërkojnë që qeveria e tyre të japë veton në samitin e datës 28 dhe 29.

Të pyetur nga Ora News ambasada e këtij shteti shprehet se qeveria do të marrë vendimin përfundimtar në datën 26 qershor. Ndërkohë Gjermania duket se ka një qëndrim pozitiv, por që fjala e fundit do të jepet javën e ardhshme kur pritet dhe vendimi I qevrisë franceze.

Parlamenti holandez i ka vendosur t’i kërkojë qeverisë të vendosë veton kundër hapjes së negociatave të integrimit me Shqipërinë.

Vendimi është marrë pas një mocioni të paraqitur prej Martijn van Helvert, i cili është shprehur se Shqipëria nuk ka plotësuar pesë prioritetet e kërkuara.

Pas raportit të paraqitur parlamentarët me 125 vota pro dhe 20 kundër i kanë kërkuar qeverisë së tyre t’i thotë jo çeljes së bisedimeve me Shqipërinë në samitin që do të zhvillohet në datat 28 dhe 29 qershor.

Gjithësesi vendimi i parlamentit nuk është detyrim për qeverinë. Ambasada e këtij shteti në Tiranë shprehet se qeveria do të mblidhet në datën 26, ku dhe do të jepet fjala e fundit.

Helvert është një prej raporterëve të mbërritur më parë në Shqipëri për të raportuar mbi reformat e ndërmarra prej qeverisë shqiptare. Ndërkohë dhe Franca nuk ka ende një qëndrim zyrtar, mbi planin e zgjerimit të BE. Pritet që Presidenti Makron të japë qëndrimin e tij pak ditë para samitit të BE.

Por edhe Gjermania ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi votën që do të japë kur të shqyrtohet propozimi për hapjen e negociatave të integrimit me Shqipërinë.

Të pyetur pas deklaratës së kryeopozitarit Lulzim Basha se Bundestagu ka vendosur t’i thotë ‘jo’ negociatave me Shqipërinë, zyrtarët e ambasadës gjermane janë shprehur se do të ketë një mbledhje tjetër javën e ardhshme.

"Në kuadër të procedurës parlamentare të përcaktuar nga Bundestagu, çështja e hapjes së negociatave do të diskutohet javën e ardhshme në seancë plenare", thuhet në reagim.