Transmetuar më 21-06-2018, 17:44

Holanda sipas të gjitha gjasave mund të jetë vendi që do të bllokojë çeljen e negociatave për Shqipërinë duke vendosur veton.

Sot në Komisionin për Çështjet e Jashtme janë zhvilluar diskutime për Shqipërinë dhe Maqedoninë ku mbizotëronte skepticizmi, edhe pse nuk kishte një vendim përfundimtar.

Por, një prej gazetave holandeze shkruan se “Holanda po bllokon pranimin e Shqipërisë në BE”.

Kështu shkruan “De Telegraf”, një prej gazetave kryesore në këtë vend.

Sipas kësaj gazete, shumica e deputetëve i kanë adresuar qeverisë mesazhin se “Shqipëria nuk është gati për negociatat”. Po ashtu, gazeta citon edhe politikanë të rëndësishëm.

Dy janë shqetësimet kryesore të Holandës, krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Problemi që shqetëson Holandën është krimi dhe korrupsioni.

“Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më shumë përparime duhet të bëhen në këto pika”, thotë ministri i Jashtëm Stef Blok, por sipas gazetës holandeze, qeveria ende nuk e ka mbyllur përfundimisht derën për Shqipërinë.

Ndërkorhë, deputeti i Kristian Demokratëve Van Helvert thotë se ka rrezik nga ndikimi rus dhe kinez por kjo sipas tij nuk është arsye për pazar.

“Nuk janë kritere për të bërë pazar për anëtarësimet. Përsa i përket reformës në gjyqësor nga 800 gjyqtarë vetëm dhjetë janë testuar. Atëherë nuk mund të thuash: vendi është gati për negociata për anëtarësim”, tha ai.

Vetëm progresistët e ‘D66’ janë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Negociatat nuk do të thotë se ata mund të bashkohen tani me ne”, tha deputeti Verhoeven i D66./a.m./noa.al/