Transmetuar më 20-06-2018, 14:32

Partia Demokratike akuzon se katër deputetë të Partisë Socialiste kanë përfituar tendera prej 78 milionë eurosh nëpërmjet kompanive të tyre dhe pa garë.

Drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion Lealba Pelinku, në një dalje nga selia blu ditën e sotme tha se që kur ka ardhur në pushtet, Edi Rama e ka përqendruar shpërndarjen e taksave të rritura të shqiptarëve në pak duar, që janë ose miq të tij, ose klientë, ose deputetë, me të cilët blen dhe mban pushtetin.

Ajo tha se Ilir Beqaj është njeriu më i afërt i Edi Ramës, i cili, edhe pse nuk është më ministër vazhdon të marrë me qindra milionë lekë nga taksat e shqiptarëve.

“Rasti më i fundit është ai i shpalljes fituese të kompanisë “Intech+”, e zotëruar de facto prej Beqajt. Në një tender pa asnjë konkurrent, shoqëria e ish ministrit që rrënoi shëndetësinë, u shpall fituese për 1 miliardë e 362 milionë lekë ose 1.1 milionë euro, duke patur ofertë gati të njëjtë me fondin limit, pa i kursyer buxhetit gati asnjë qindarkë.

1.1 milionë euro, të fituara së fundmi nga taksat e rritura të shqiptarëve, i shtohen pasurisë së Ilir Beqjes, i cili, që kur Rama është bërë kryeministër, ka përfituar tendera me vlerë 29 milionë euro”, u shpreh Pelinku.

Ajo shtoi se Ilir Beqja nuk është i vetëm në listën e deputetëve të Edi Ramës që pasurohen me paratë e shqiptarëve.

Po ashtu tha se që prej kohës kur Edi Rama është Kryeministër, Sadri Abazi ka fituar tendera me vlerë 34 milionë euro nga paratë publike.

Pelinku deklaroi gjithashtu se media raportoi pak kohë më parë se në shumë prej tenderave, kompania ka paraqitur dokumentacion fals, por nga prokuroria, nën kontrollin e Edi Ramës, nuk ka asnjë reagim.

Sipas saj, dy deputetët e tjerë të partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, kanë përfituar secili nga tenderat publikë prej 8.1 dhe 7 milionë euro.

“Këta të katër deputetë të Edi Ramës, Ilir Beqja, Sadri Abazi, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu kanë përfituar së bashku 78 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve, të cilëve ata u kanë rritur çdo vit taksat në parlament. 78 milionë euro nga pasuria publike për 4 deputetë është rekord i babëzisë së pushtetit të Edi Ramës, i cili si qëllim të vetëm ka pasurimin e tij dhe të njerëzve të afërt të tij për të blerë pushtetin dhe për të sunduar shqiptarët”, deklaroi Pelinku.

Ajo tha në mbyllje se të tilla rekorde korruptive janë një nga pengesat madhore të hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. /a.y/noa.al