Transmetuar më 20-06-2018, 12:19

Raportuesi për Shqipërinë në Bashkimin Europian, Knut Fleckenstein thotë se Gjermania është e bindur që tashmë negociatat me Shqipërinë duhet të hapen, edhe pse vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian mund të përmbajë kushte.

Sipas Fleckenstein, e rëndësishme, është që edhe nëse ka kushte, vendimi të mos të kthehet sërish në Këshillin e Ministrave pas raportimit të mëtejshëm të Komisionit Europian.

Në një intervistë për ‘Abc’, ai thotë se mesazhi kryesor është që parakushtet e përcaktuara për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE janë përmbushur.

Megjithatë shton se, kjo nuk do të thotë që puna ka mbaruar.

"Ne e dimë që ka probleme. Po, ka probleme me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Edhe reforma në drejtësi është në zbatim e sipër, por nuk është zbatuar gjithçka. Pra, ka kaq shumë punë përpara. Duhet të përqendrohemi te çështja e pronës, tek rritja ekonomike, punësimi dhe shumë kritere të tjera. Së pari, për qeverinë e Tiranës, por edhe për ne për të mbështetur dhe për të promovuar këtë punë, nëse ajo shkon në drejtimin e duhur”, u shpreh Fleckenstein.

Po ashtu shtoi se parakushtet për hapjen e negociatave janë përmbushur dhe ky është qëndrimi i pothuajse të gjitha grupimeve politike në Parlamentin Europian dhe Komisionit Europian. /a.y/noa.al