Transmetuar më 20-06-2018, 10:10

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Apelit të Tiranës, Gentian Trenova.

Pas seancës së verifikimit nga trupa gjykuese Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici është marrë vendimi për shkarkimin e tij.

Ish-prokurori i krimeve të Rënda kishte probleme me pasurinë dhe aftësinë profesionale.

Ai ka bërë deklarim të rremë dhe ka mungesë të burimeve financiare.

Në lidhje me pasurinë, në raport evidentohej fakti se prokurori i Apelit kishte deklaruar si pasuri një apartament në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, blerë në vitin 2007.

Vlera e apartamentit ishte deklaruar 40 mijë euro, ndërsa në të dytën deklarohej se prona ishte blerë me vlerën e 1 milionë e 900 mijë lekë. Këtë apartament – thuhej në raport – prokurori ua dhuroi përmes një kontrate fiktive prindërve të bashkëshortes, në një kohë që vijonte dhe vijon të jetojë po aty. Me këtë veprim – tha relatorja – Gentian Trenova ka kompromentuar rëndë figurën e magjistratit.

Prokurori u shpreh se këtë banesë ua dhuroi prindërve të gruas, pasi atyre u lindi nevoja të merrnin një kredi, për shkak se shtëpia me qerpiç ku banonin ishte e shkatërruar dhe po mendonin ta jepnin për ndërtim.

Ndër të tjera në raport thuhej se prokurori Trenova nuk ka kryer hetime të thelluara për pasuritë e shtetasit V.L., i dënuar për trafik droge, ndërsa ka pushuar hetimet për prokurorin A.K., i dyshuar për korrupsion.

Gentian Trenova sqaroi se çështja e prokurorit ishte hetuar më herët nga dy kolegë të tij për më shumë se dy vjet dhe nuk kishin arritur në asnjë rezultat. Për rastin e shtetasit V.L., prokurori këmbënguli se policia nuk i referoi asnjë provë.

Trenova është përzgjedhur dhe për anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED.